Janusz Bugajski, njohës i çështjeve politike në Ballkan, gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri” ka deklaruar se procesi i Gjykatës Speciale do të vazhdojë pa marrë parasysh përbërjen e qeverisë së re, duke hedhur poshtë kështu spekulimet se bashkimi i “Krahut të luftës” në koalicion parazgjedhor do të jetë pengesë për këtë Gjykatë

Loading...

Procesi i Gjykatës Speciale do të vazhdojë pa marrë parasysh përbërjen e qeverisë së re në Kosovë, kështu ka thënë gjatë një interviste për gazetën “Zëri” bashkëpunëtori i lartë i Qendrës për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA) në Uashington DC dhe njohësi i proceseve politike në Ballkan, Janusz Bugajski.

 

Megjithatë, ai ka shtuar se edhe pse procesi do të zgjatet, ai duhet të fokusohet dhe të sigurojë prova të besueshme për krimet e luftës individuale dhe të mos kërkojë të diskreditojë vetë UÇK-në apo luftën e armatosur të Kosovës për çlirimin kombëtar.

Më tutje në intervistën e tij Bugajski ka thënë se çdo pengesë në punën e Gjykatës Speciale apo ndonjë manipulimi i dëshmitarëve do të kishte një ndikim negativ jo vetëm në qeveri, por edhe në përparimin e Kosovës drejt njohjes ndërkombëtare dhe integrimit institucional ndërkombëtar.

Duke folur rreth zgjedhjeve të 11 qershorit, Bugajksi ka thënë se zgjedhjet janë zakonisht zgjidhjet më racionale kur ka bllokadë politike dhe kur qeveria është nën nivelet e saj të performancës.

Megjithatë, ka shtuar se Kosova mund të përballet me një skenar më pak pozitiv nëse qeveria dështon që t’i përmbushë premtimet e saj. Krejt në fund, Bugajski ka folur edhe për mundësinë e ndikimit rus në zgjedhjet e 11 qershorit. Sipas tij, secila parti në Kosovë duhet t’i kontrollojë në mënyrë të përpiktë aktivistët e saj dhe mediet për të pastruar veten nga paratë ruse që janë investuar në çfarëdo rasti për profit politik dhe strategjik.

Zëri: Javë më parë kryeministri Isa Mustafa u shkarkua në bazë të mocionit të votëbesimit të iniciuar nga opozita, por të cilin e përkrahu edhe partneri i madh i koalicionit qeverisës. A ishte zgjidhja më e mirë rrëzimi i Qeverisë, duke marrë parasysh faktin se Kuvendi ishte bllokuar qe një kohë?

Bugajski: Zgjedhjet janë zakonisht zgjidhjet më racionale kur ka bllokadë politike, kur qeveria është nën nivelet e saj të performancës, ose kur shumica e parlamentarëve kanë humbur besimin në koalicionin qeverisës. Nëse zgjedhjet e reja do të mundnin të zhbllokojnë këtë stagnim legjislativ dhe të sjellin në pushtet një ekip më dinamik,  atëherë ato do të ishin pozitive dhe profitabile për shtetin. Sidoqoftë, Kosova mund të  përballet me një skenar më pak pozitiv nëse qeveria dështon që t’i përmbushë premtimet e saj dhe është e mbushur nga luftërat politike dhe nga një parlament pengues.

Zëri: Ka qenë interesant fakti se ish-komandantët e UÇK-së, të cilët drejtojnë subjekte politike parlamentare, kanë bërë koalicion parazgjedhor gjersa në vazhdimësi kanë pasur konfrontime të ashpra mes vete. Në Kosovë spekulohet se ky bashkim i ish-komandantëve ndërlidhet me aktakuzat e Gjykatës Speciale për Kosovën. Sa janë reale këto pretendime?

Bugajski: Jo të gjithë ish-komandantët e UÇK-së janë në të njëjtën parti, ose do të hyjnë së bashku në një koalicion qeverisës, ose do të qëndrojnë në një koalicion të qëndrueshëm. Procesi i Gjykatës Speciale do të vazhdojë pa marrë parasysh përbërjen e qeverisë. Procesi do të zgjatet, por gjithashtu duhet të fokusohet dhe të sigurojë prova të besueshme për krimet e luftës individuale dhe të mos kërkojë të diskreditojë vetë UÇK-në apo luftën e armatosur të Kosovës për çlirimin kombëtar.

Institucionet e Kosovës ta përballojnë procesin e Speciales

Zëri: Nëse ish-“Krahu i luftës” vjen në krye të qeverisë, sa mund të ketë pengesa për punën e Gjykatës Speciale apo edhe për dëshmitarët potencialë?

Bugajski: Çdo pengesë në punën e Gjykatës Speciale apo ndonjë ngacmim i dëshmitarëve do të ketë një ndikim negativ jo vetëm në qeveri, por edhe në përparimin e Kosovës drejt njohjes ndërkombëtare dhe integrimit institucional ndërkombëtar.

Zëri: A pritni një “tërmet” në skenën politike kosovare me ngritjen e aktakuzave të para nga Gjykata Speciale?

Bugajski: Kjo varet nga koha, nga identiteti i të paditurit dhe nga ajo për të cilën do të akuzohen. Kosova duhet të demonstrojë se institucionet e saj shtetërore dhe shoqëria janë mjaft të forta për të përballuar këtë proces. Kundërshtarët e Kosovës do të presin të mbështeten në ndonjë paqëndrueshmëri apo konflikt politik që rezulton nga puna e Gjykatës Speciale. Çdo aktakuzë duhet të kalojë përmes një procesi ligjor, në të cilin të gjitha provat janë zbuluar. Nëse ka dëshmi të pamjaftueshme për krimet e luftës, atëherë nuk mund të ketë ndonjë dënim.

Çdo qeveri duhet ta vazhdojë dialogun me Serbinë

Zëri: Nëse ky koalicion fiton votat dhe e bën qeverinë e re, a besoni se do të vazhdojë pa pengesa dialogu me Serbinë në Bruksel nën udhëheqjen e Ramush Haradinajt, i cili në fillim të këtij viti u arrestua në Francë në bazë të një fletarrestimi të lëshuara nga Serbia?

Bugajski: Çdo qeveri në Prishtinë do të duhej të vazhdojë dialogun me Beogradin pasi  thjesht nuk mund t’i injorojë fqinjët e vet dhe duhet të synojë për marrëdhënie të normalizuara dypalëshe me të gjitha vendet. Në të kundërtën, Serbia duhet të negociojë me Kosovën, pavarësisht se është në qeveri, veçanërisht pasi që përparimi i mëtejshëm për BE-në është i kushtëzuar nga vendosja e marrëdhënieve të përzemërta bilaterale, që përfundimisht do të çojnë në njohjen reciproke si shtete të pavarura.

Zëri: Kosova vazhdon të mbetet ndër shtetet më të korruptuara në rajon, a besoni se qeveria e re do ta luftojë korrupsionin apo do të vazhdohet me avazin e vjetër?

Bugajski: Korrupsioni dhe ndërhyrja e politikës dhe e biznesit është një nga elementët më shkatërrues të zhvillimit ekonomik në të gjithë Evropën Juglindore. Votuesve u duhet të zgjedhin politikanët që nuk janë të implikuar në skandalet e korrupsionit ose që vërtet kërkojnë të përmirësojnë jetën e qytetarëve. Është në dorën e shoqërisë të kërkojë veprim ligjor kundër politikanëve që janë të korruptuar. Është në detyrën e  Parlamentit që t’i ndjekë aktivitetet dhe pasuritë e të gjithë anëtarëve të saj. Dhe është në dorë të qeverisë që t’i dorëzojë zotimet e saj, duke përfshirë çrrënjosjen e korrupsionit zyrtar.

Ku ka korrupsion të shfrenuar, paratë ruse mund të injektohen

Zëri: Në disa vende të rajonit u përfol për ndërhyrje të Rusisë në zgjedhje, a mund të ketë edhe ndërhyrje të tilla edhe në zgjedhjet e Kosovës?

Bugajski: Moska ka bërë një rrugë të gjatë në politikën e Kosovës. Sidoqoftë, ku ka korrupsion të shfrenuar paratë ruse mund të injektohen për të ndikuar në pozicionin e disa politikanëve. Moska gjithashtu mbështetet në mjetet financiare dhe stimuj të ndryshëm për të krijuar konflikte dhe kaos në shoqëri të caktuara dhe të synuara. Nga dëshmitë në vende të tjera në Evropë shpesh janë politikanët më nacionalistë apo populistë që i nënshtrohen operacioneve të influencës së Kremlinit për të minuar stabilitetin rajonal. Secila parti në Kosovë duhet të kontrollojë në mënyrë të përpiktë aktivistët e saj dhe mediet për të pastruar veten nga paratë ruse, që janë investuar në çfarëdo rasti për profit politik dhe strategjik.


 
Loading...