Moska tha se vendimi i Kosovës për t’iu vënë taksë 100% prodhimeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina është fillim i një “lufte tregtare” që kërcënon “rëndim të madh të situatës në Ballkan”.

“Në fakt, Prishtina po bën luftë tregtare në kuadër të politikës së spastrimit entik. Kjo, pasi popullsia serbe e territorit është kryesisht e varur nga furnizimet prej pjesëve qendrore të Serbisë”, tha përmes një deklarate Ministria e Jashtme e Rusisë, transmeton agjencia ruse e lajmeve Interfax.

Loading...

“Prishtina nuk e mohon se kjo është hakmarrje për humbjen që pësoi kur Asambleja e Përgjithshme e Interpol-it e refuzoi kërkesën e Kosovës për anëtarësim“, tha ministria ruse.

E njëjta shtoi se “Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, duhet t’i bindë autoritetet e Kosovës që menjëherë të anulojnë këtë vendim të paligjshëm, i cili kërcënon rëndim të madh të situatës në Ballkan”, tha Ministria e Jashtme ruse.

Të mërkurën, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për të rritur nga 10% në 100% taksën mbi prodhimet e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, u bëri thirrje autoriteteve kosovare që ta tërheqin këtë taksë, duke thënë se ajo shkel Marrëveshjen për Tregti të Lirë CEFTA dhe Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim midis BE-së dhe Kosovës.

Loading...