Rusia po punon për ta përmbysur fjalën e lirë, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit, dhe po rrit presionin ndaj mediave të pavarura, vlerësuan përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në një takim të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Uashingtoni, po ashtu, bëri thirrje për lirimin e gazetarëve rusë dhe të huaj të ndaluar në Rusi dhe në zonën e kontrolluar nga separatistët e mbështetur nga Moska në Ukrainën lindore.

Në kuadër të këtij takimi, SHBA-ja shprehu shqetësim të thellë edhe lidhur me raportimet për kërcënime ndaj gazetës së pavarur Novaya Gazeta.

Loading...

“Rusia, si brenda ashtu edhe jashtë, kërkon të minojë lirinë e shprehjes, ndërkaq gazetaria e pavarur gjendet gjithnjë e më shumë nën presion”, tha përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara, Harry Kamian, para Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë.

Loading...