Arsyet që shtyjnë shqiptarët të emigrojnë jashtë vendit lidhen me faktorët shtytës ekonomik.

INSTAT njofton se sipas anketës së Forcës së Punës, 2017, se  arsyeja kryesore e largimit nga Shqipëria është “Mundësi punësimi” me 84,0 % të përgjigjeve.

Loading...

Bashkimet familjare ose arsye të tjera që lidhen me familjen janë shkak për emigracionin në masën 4.6%, ndërsa 3.6 për qind e të larguarve nga vendi janë për qëllime studimi.

INSTAT vëren se, emigrimi ishte arsyeja kryesore për rënien e popullsisë në Shqipëri para vitit 2001 dhe në periudhën 2001-2011.

Disa qindra mijëra shqiptarë u larguan nga vendi  një humbje që nuk u kompensua nga imigracioni dhe rritja natyrore. Ky emigrim masiv ishte shkaku kryesor i ndryshimit të popullsisë nga një rritje e lartë vjetore e popullsisë në periudhën e censeve 1979-1989 prej 2.0 për qind, me një rritje negative (- 0.3 për qind në vit) në periudhën pasuese të censeve 1989-2001.

Në terma absolutë, rritja e popullsisë prej pothuajse 600 mijë personave që u vëzhgua në periudhën midis censeve para vitit 1989 u shndërrua në një rënie prej më shumë se 100 mijë në atë pas vitit 1989.

Censi i vitit 2011 përfundimisht tregoi se emigrimi ishte faktori më i rëndësishëm në humbjen neto të popullsisë prej 269 mijë personave në periudhën 2001-2011, duke përbërë 8.8 përqind të popullsisë së vitit 2001. Sipas vlerësimeve indirekte të INSTAT-it, gjatë kësaj periudhe rreth 482 mijë shqiptarë u larguan nga vendi, një numër që u kompensua pjesërisht nga imigracioni dhe rritja natyrore.

Por një studim i muajve të fundit i Qendrës për Kërkime Sociale dhe Ekonomike për potencialet e emigrimit tregon për një tendencë të lartë ikjes nga vendi të familjeve më të ardhura të larta. Pavarësisht se dëshira për migrim vërehet tek të gjitha grupet shoqërore, ajo nuk është më një karakteristikë vetëm e grupeve të varfra të shoqërisë shqiptare. Vrojtimi i ndau të anketuarit në 10 grupe të mëdha, duke u bazuar në të ardhurat mujore ose vjetore të familjes së tyre . Të dhënat e anketës tregonin se migrimi potencial ishte më i lartë te familjet që e karakterizonin gjendjen financiare si “fare e pamjaftueshme”, e “pamjaftueshme”.

Anketimi i vitit 2018 gjeti se rreth 55% familjeve që kishin të ardhura ndërmjet 1000-1400 eurove, donin të iknin. Gjithashtu, në këto përmasa, planifikojnë të ikin edhe personat me paga 470 deri në 950 euro në muaj. Nga ana tjetër, shihet se më pak se 50% e personave me paga nën 370 euro planifikojnë të ikin./Monitor

Loading...