Protestuesit me pankarta në duar marshojnë drejt ish-sheshit Shqiponja ku u përplasën me policinë. Të alarmuar nga mbarimi i afatit 10 ditor për largimin nga shtëpitë, banorët bëjnë kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës.

Lindita Bushgjokaj

Loading...

Banorët e Unazës së Tiranës kanë protestuar edhe ditën e djeshme kundër ndërtimit të projektit të Unazës së Madhe që prek shtëpitë e tyre, ndërsa kanë kallëzuar në prokurori shkeljen e ligjit nga autoritetet. Edhe në këtë tubim qytetarët shprehen se protesta është e vetmja rrugë për të luftuar kundër vendimit të qeverisë, e cila duhet të kompensojë 100% për dëmin. Me të njëjtat slogane kundër qeverisë dhe Erjon Veliajt, banorët kanë marshuar duke bllokuar rrugën dhe duke rënduar qarkullimin e mjeteve. Protestuesit mbanin në duar pankarta me mbishkrimin: “Jemi qytetarë, nuk jemi shpellarë”, apo edhe Shtëpia mbrohet me jetë”. Ata janë nisur drejt ish-sheshit “Shqiponja” për të protestuar dhe për të bllokuar rrugën tek ish-dogana. Zona ishte rrethuar me forca të shumta policore të cilët qëndronin në gatishmëri, kundrejt çdo sulmi të mundshëm, ndërsa kapsollat nga protestuesit kanë qenë të shumta. Ata janë shprehur për mediat, se nuk kanë asnjë shpresë nga kjo qeveri, e cila po punon me një projekt abuzues dhe aspak transparent. Gjithashtu, pohuan se ndihen të trajtuar si terroristë dhe jo si qytetarë të Tiranës.  “Nuk ka asnjë fije transparencë, as nga qeveria as bashkia, ne sikur jemi geto afrikane, jo qytetarë të Tiranës. Qeveria edhe mund të na terrorizojë, por ne me trupin e jetën tonë do i mbrojmë banesat”. Ata kanë hedhur kapsolla, ndërkohë që në mbështetje të tyre ndodheshin deputetët e PD-së, Klevis Balliu e Flamur Noka.

“Na njoftuan se do vijnë hënën të na prishin shtëpitë”

Qytetarët bllokuan rrugën pranë Shkollës Teknologjike ndërsa hodhën tymuese e thirrje të vazhdueshme për zmbrapsjen e projektit të “Unazës së Madhe”. Banorët, të cilëve do tu shemben shtëpitë si pasojë e projektit, kanë ndalur qarkullimin e automjeteve në dy anët e Unazës së Re. “Ne kërkojmë të na dëmshpërblejë një me një. Rruga le të bëhet”, tha një qytetar.  Ata bënë me dije, se sipas njoftimit verbal nga ARRSH, ditën e hënë do të nisë puna për Unazën e Madhe, çka do të thotë se do të fillojë edhe shembja e godinave. “Sot është afati i fundit. Duhet të na bashkohen të gjithë para kësaj kauze kaq të vështirë. Menduam se deri tani duhet të reagonte qeveria dhe bashkia, derisa nuk kanë reaguar ne këtu do të jemi”, tha një tjetër qytetarë. Protesta e banorëve të dielën zgjati nga ora 11 e paradites deri në 13.40, por qytetarët bënë të ditur se protesta do të vijojë sërish të hënën.

Dy ditë më parë banorët paralajmëruan se në rast se nuk do të kishte një përgjigje, protesta e tyre do të zhvillohej pa afat. Banorët e Astirit kanë hyrë në ditën e 15-të të protestës së tyre dhe kërkojnë dëmshpërblim në vlerën e tregut për banesat që po shemben si pasojë e projektit të zgjerimit të rrugës. Me datën 15 nëntor ata protestuan përpara Bashkisë së Tiranës, duke hedhur molotov, tymuese dhe duke tentuar të futen me forcë brenda bashkisë. Nga protesta mbetën të lënduar 7 policë bashkiakë. Banorët e “Unazës së Re” po mbështeten që nga dita e parë e protestës nga partia Zgjidhja. Kjo e fundit e ka cilësuar projektin e “Unazës së Madhe” një mashtrim, që nuk ka aspak transparencë ligjore. Bashkia Tiranë, nga ana tjetër, sqaron se banorët të cilët kanë shtëpi të palegalizuara do të mbështeten nga një bonus qiraje me afat 3-vjeçar. Për projektin e “Unazës së Madhe” parashikohet që të prishen 317 objekte, 163 prej të cilëve janë në proces legalizimi dhe do të skualifikohen dhe 123 janë me vërtetime pronësie. Banorët thanë se protesta do të vijojë pa afat, derisa të marrin një përgjigje nga bashkia dhe institucionet përkatëse. “Do ta vazhdojmë protestën. Kemi njoftuar se sot do të bëhet ndërprerja pa afat e rrugës. Nuk mund të vënë kryqe. Ata nuk interesohen për ne.”-ka thënë njëri prej banorëve

ARRSH: Nuk i kemi njoftuar banorët

Një zyrtar i ARRSH deklaruar në një prononcim për gazetën “Shekulli”, se banorëve nuk iu ka shkuar asnjë njoftim zyrtar për banesat që do të prishen si pasojë e zgjerimit të rrugës. Më tej, tha se banorët që prekën nga projekti i Unazës së Madhe, do të dëmshpërblehen sipas ligjit. “Jam i shqetësuar në fakt për banorët, por nuk ju ka shkuar asnjë njoftim zyrtar. Dhe si në çdo rast ku është zhvilluar projekti i Unazës së Madhe, do dëmshpërblehen sipas ligjit. Më vjen keq që përdoren nga politika kështu. Ata janë qytetarë si gjithë të tjerët. Të gjithë kemi ardhur në Tiranë për më mirë, por duhet të zbatojmë ligjet e këtij vendi”, tha përfaqësuesi i ARRSH.

Vdeoja nga PD: Ja si e ofendon Veliaj popullin

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa përmes një videoje të publikuar në rrjetin social “Facebook”, tregon gjuhën që Erjon Veliaj ka përdorur kundrejt protestuesve, duke treguar se ajo është fytyra e vërtetë e kryebashkiakut. Në video shihet qartë me zë dhe figurë sesi poshtëron dhe ofendon qytetarët që i besuan dhe i dhanë votën për Bashkinë e Tiranës, duke tentuar t’i blejë ata me anë të oligarkëve të ndërtimit, shprehet Zhupa. Sipas saj, në çdo vend të botës demokratike, qytetarët kanë të drejtë të kritikojnë dhe të kundërshtojnë zyrtarët e shtetit për mos mbajtje premtimesh, dhe askush prej qytetarëve nuk cenohet, ndërsa në Shqipëri të fusin në burg nëse e bën një gjë të tillë. “Në çdo vend të botës demokratike qytetarët kanë të drejtë të kritikojnë qeveritarët e tyre, edhe t’i shajnë ata kur nuk ju përgjigjen premtimeve dhe detyrimeve që kanë kur zgjidhen me votë. Ndërsa në diktatura qeveritarët kritikojnë qytetarët e tyre dhe i arrestojnë kur nuk ju përgjigjen vullnetit të partisë. Kryemashtruesi i Tiranës Erion Veliaj, i cili prej 15 ditësh nuk pranon të takojë banorët, ka zgjedhur t’i shajë ata, t’i ofendojë, t’i bëj presion dhe bashkë me policinë që duan, t’i arrestojnë ata. Në video janë dy reagimet me sharje të kryebashkiakut Erioni Betoni për votuesit e tij, për banorët e qytetit, nga ‘shpellar’ tek nazist. Nuk pyet për të drejtat kushtetuese dhe ligjore të qytetarëve sepse është i bindur, se me oligarkët në krah mund të blej çdo zgjedhje. Por e ka gabim, qytetarët do triumfojnë në të drejtat e tyre. Tirana e do zhvillimin, por jo përmes korrupsionit, klientelizmit, shpërfilljes së të drejtave ligjore të qytetarëve të saj. Erion Veliaj nuk është kryebashkiaku që meritojmë”, -tha Zhupa.  

Banorët, kallëzim penal kundër projektit për prishjen e shtëpive

Banorët e “Astirit” kanë përshkallëzuar reagimin e tyre për kundër prishjes së banesave, që preken nga projekti i Unazës së Madhe. Një përfaqësi e banorëve i janë drejtuar dje Prokurorisë së Tiranës për të dorëzuar padinë, por në Prokurori nuk kishte prokurorë të gatshëm për të marrë kallëzimin. “Jemi i drejtuar Prokurorisë për disa fakte. Fakti i parë është që sipas disa personave që kanë ardhur para 10 ditësh në Unazën e Re që kanë bërë disa matje dhe kanë vënë disa kryqe. Ata i kanë thënë personave që pas 10 ditësh duhet të dilni nga shtëpia sepse do zgjerohet rruga, që do prishen banesat. Sot që është ditë e diel është afati i fundit dhe ne banorët e “Unazës së Re” jemi alarmuar sepse jemi në afatet ligjore sipas supozimeve të zotërinjve. Ne nuk i njohim këta zotërinj. Ne kemi ardhur të bëjmë kallëzim penal për këta persona, për të gjitha institucionet duke filluar që nga ARRSH, bashki, për të bërë transparencën e projektit, për të bërë transparencën e disa vendimmarrjeve të fundit. Një vendimmarrje është që kanë prerë dritat dhe pemët. Ku e kanë të bazuar këta zotërinj prerjen e dritave dhe pemëve?! Ne jemi taksapagues të Tiranës, si mund t’i presin dritat dhe pemët? A mos është ky një lloj presioni? I bëj thirrje edhe prokurores së Tiranës, Elisabeta Ymeraj që të na dërgojë një prokuror që ne të japim denoncimin, edhe për të qetësuar edhe situatën, sepse atje janë 900 familje që janë të alarmuar. Ne jemi të vendosur për të qëndruar derisa të vijë prokurori. Ne kemi pretenduar se qeveria do tërhiqet, do dalë në deklaratë apo do futet në proces negocimi ligjor. Duke parë që ekzekutivi nuk ka funksionuar, ne kemi marrë vendimin që të shkojmë në organet e drejtësisë dhe ne besojmë të organet e drejtësisë. Prokuroria e ka për detyrë të reagojë. Duhet të vijë këtu. Prokuroria duhet të mbështesë qytetarët. Sa i përket veprimeve të tjera, ne do të rrimë këtu sa të vijë një prokuror për të na lënë një orar kur mund të bëjmë kallëzimin”, deklaruan banorët.  

Loading...