Cila është vërtetësia e një njoftimi nëpër platforma informuese? Shumë pak njerëz mund të gjykojnë vet këtë, thotë një sondazh i kryer nga „Edelman Intellegence“ për vitin 2018.

Sondazhi i kryer nga kompania hulumtuese e tregut „Edelman Intelligence“ ka zbuluar se pothuajse 70 për qind e njerëzve, në 28 vende të anketuara, i kanë frikë raportimeve dhe lajmeve të rreme. Për shembull tek ekonomia më e fuqishme në BE, siç është Gjermania, kjo shifër është rreth 63 përqind, të cilët e kanë goxha vështirë ose mbase nuk do të dinin se si të dallojnë lajmet e rreme nga lajmet cilësore, gjegjësisht të vërteta!

Ky fenomen shqetësues bëhet veçanërisht më negativ nga ndikimi dhe shpërndarja me apo pa qëllim i lajmeve të tilla në rrjetet sociale siç janë Facebook, Twitter & Co., ngase njoftimet në këto rrjete, në formë lajmi si nga dukja, po ashtu edhe nga mënyra e shpërndarjes, duken të njëjta me ato të vërtetat.

Humbja e besimit në informim rezulton kryesisht nga përdorimi i rrjeteve kërkuese në internet si Google, Bing apo Yahoo si dhe ato sociale si Facebook dhe Twitter. Kredibiliteti i të cilave së fundmi ka shënuar një rënie, sidomos pas skandalit të Facebook-ut dhe ndikimit të tyre në fushatat zgjedhore në Britani dhe SHBA. Këta operatorë të rrjeteve sociale janë të vetëdijshëm për këtë zhvillim, mbase edhe deri në një masë janë vet nxitës të tyre.

Në këtë kontekst themeluesi i Facebook-ut, Mark Zuckerberg, kohët e fundit theksoi se donte ta zvogëlonte përhapjen e lajmit të rremë. Duke vepruar kështu, ai mbështetet tek reagimet publike dhe ato nga organet e BE-së si dhe tek përdoruesit e rrjeteve sociale, të cilat kërkojnë që ti peshojë mediat dhe lajmet e tyre sipas besueshmërisë.

Deri më tani, ndërmarrjet si Facebook dhe Google janë përqëndruar tek profiti ekonomik dhe nuk i kanë kushtuar vëmendje ndikimeve afatgjatë në shoqëri, shtete, por edhe në ndërmarrjet e tyre nga lajmet e rreme. Nëse ky model i të funksionuarit nuk ndryshon, humbës krahas audiencës do të jenë edhe vetë këta operator, të cilëve përdoruesit e tyre hap pas hapi do t’ja kthejnë shpinën.

Por, aty ku ka humbës, ka edhe fitues. Media klasike, gazetat, radiot, kanalet televizive dhe portalet me reputacion, pra ata që informojnë mirëfilli, sipas këtij studimi kanë filluar ta rikthejnë besimin e tyre tek audienca.

Nëse bie besimi në media, e kjo kryesisht ndodhë kur media dhe gazetarët lajthiten nga paraja e pushteti, atëherë ekziston një rrezik i lartë që njerëzit nuk do të jenë më të informuar sa duhet mbi situatat politike dhe sociale, dhe kështu gjykimi si dhe vendimet e tyre nuk do jenë të mirëpeshuara sa duhet. Kështu që zgjedhjet e tyre nuk do jenë korrekte dhe mund të devijohen lehtësisht nga faktorë të tretë. Se si duket një fenomen i tillë, kjo shumë mirë mund të konstatohet tek mediumet në viset shqipfolëse, të cilat për dallim nga ndërmarrjet private globale, lajmin e rremë e transmetojnë në formën e mediumit „publik e nacional“ si dhe përmes portaleve të financuara nga grupet e parapolitikës.

Sa për info: Edelman për këtë studim i intervistoi gati 33,000 njerëz në 28 shtete. Nga ata 6200 janë nga grupmosha 25-64 vjeçare, dhe të cilët kanë shkollim të lartë. Mbledhja e të dhënave u bazua në intervista cilësore në periudhën tetor dhe nëntor 2017./MekuliPress.info/

Burimi: Barometri Edelman Intellegence 2018

Alban Ademi,
MekuliPress