Qeveria e Kosovës ka ashpërsuar masat ndaj produkteve që vijnë nga Serbia, pavarësisht kërkesave të autoriteteve serbe dhe të zyrtarëve të Bashkimit Evropian që taksa prej 100 për qind për produktet serbe të hiqet, në mënyrë që të krijohet klimë më e mirë për vazhdimin e dialogut të Brukselit. Qeveria e Kosovës tashmë ka vendosur që taksa prej 100 për qind të vlejë edhe për brendet ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe të cilat ishin brenda një liste, të cilën Qeveria e Kosovës e kishte liruar nga masa e taksës.

Ky vendim i Qeverisë së Kosovës do të nisë të zbatohet që nga 1 janari i vitit 2019.

Loading...

Kosova vë tarifë edhe për brendet e huaja që prodhohen në Serbi dhe Bosnje
Zyrtarët e Bashkimit Evropian, më herët, kanë kritikuar Kosovën duke thënë se tarifa doganore e vendosur ndaj mallrave serbe, përveç që e shkel Marrëveshjen për tregti të lirë, ajo paraqitet edhe pengesë për rinisjen e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovë-Serbi.

Por, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ditën e premte, ka thënë se tashmë i kanë shpjeguar arsyet për vendimin e taksës përmes letrave zyrtare, në të cilat janë dhënë të gjitha argumentet. Sipas tij, argumentet e tilla nuk janë hedhur poshtë nga askush dhe kërkesa e Bashkimit Evropian për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe, siç ka thënë ai, është kërkesë e pastër politike.

“Mirëpo, letra kryeministres (së Serbisë, Ana) Bërnabiq që u drejtohet kryeministrave të shteteve , të cilat e kanë njohur Kosovës, që ato t’i tërheqin njohjet, kjo është e papranueshme për ne. Kjo është një dëshmi që jo vetëm që kemi të drejtë për taksën, por po na imponohen edhe veprime të tjera. Unë jam shumë i habitur për heshtjen e zonjës (Federica) Mogherini, të komisionarëve tjerë (Johannes) Hahn, (Cecilia) Malmstrom dhe të gjithë zyrtarëve tjerë të BE-së për heshtjen ndaj kësaj letre, ajo nuk është në frymën e dialogut e as anëtarësimit në BE. Kjo është kundër dialogut, kundër perspektivës evropiane të rajonit tonë dhe u bëj thirrje, apeloj te udhëheqësit e BE-së që të mos heshtin, për shkak se kjo heshtje e ka sjellë punën ku jemi sot”, theksoi Haradinaj.

Gjithashtu, kryeministri Haradinaj ka thënë se Qeveria që ai drejton e ka mirëpritur letrën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për të dy presidentët.

Autoritetet në Kosovë tashmë po përgatiten që t’i qasen fazës finale të dialogut me Serbinë, e cila siç është thënë, pritet të përfundojë me një marrëveshje ligjërisht obliguese për palët.

Thaçi: Me marrëveshjen, Kosova fiton njohjen nga Serbia dhe pesë vendet e BE-së
Kuvendi i Kosovës tashmë ka mandatuar Ekipin negociues, i cili përbëhet nga përfaqësues të partive në pushtet dhe të njërës prej subjekteve politike opozitare, Partisë Sicialdemokrate. Përfaqësuesit e këtij Ekipit negociator janë takuar të enjten me ambasadorët e vendeve të Quintit, të cilët, siç është thënë, i kanë dhënë mbështetje këtij delegacioni dhe po ashtu kanë kërkuar unitet dhe përfshirje të të gjithë spektrit politik në fazën finale të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në dialog Kosova pritet të përfaqësohet nga presidenti Hashim Thaçi dhe nga Ekipi negociator.

Por, përderisa autoritetet në Kosovë po bëjnë përgatitjet për dialog, autoritetet e Serbisë kanë thënë se taksa e vendosur nga Qeveria e Kosovës e pengon dialogun.

Prishtina kërkon partneritet ndërkombëtar për fazën finale të dialogut
Rreth një javë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar që dialogu në Bruksel nuk do të rinisë pa heqjen e kësaj takse.

“Kam thënë që Serbia është e gatshme për vazhdimin e dialogut menjëherë pas heqjes së këtyre taksave. Mendoj që kjo është e rëndësishme dhe ne nuk e kemi ndryshuar qëndrimin tonë”, pati thënë Vuçiq.

Sidoqoftë, përfaqësuesit e Ekipit negociator kanë theksuar se pala e Kosovës, më 8 janar të vitit 2019, do të ketë takim në Bruksel për të diskutuar me zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe për t’i informuar ata mbi ecurinë e përgatitjeve në Kosovë për procesin e dialogut.

Loading...