Gëzim Mekuli

– Tituj e lajme të pabesueshme: “9 km kolona e gjatë për t’u futur në Serbi”, “7 orë pritje në radhë për të kaluar kufirin Kosovë-Serbi.”

Loading...

Viti 2002. Norvegji. Qyteti Stavanger. Jemi mysafir në shtëpinë e profesoreshës së nderuar, znj. Kipperberg. Këtu, të ftuar, ishin edhe 7 studentë norvegjez si dhe një profesor nga universiteti i Prishtinës. Ishte mikëpritje miqësore. Aty, gjatë ndenjes, ndër të tjera, filloi edhe tema për marrëdhëniet serbo-shqiptare të pasluftës. Aty, që në fillim, u fol shumë për falje, ardhmëri, mos hakmarrje, jeni fqinj, jemi në shekullin XX etj, etj. Më erdhi radha edhe mua. E thashë se, nuk ka marrëdhënie të shëndosha shqiptaro-serbe përderisa politikat serbe nuk kërkojnë falje për masakrat, dhunën, shkatërrimin dhe gjenocidin, që shteti serb e kreu mbi shqiptarët e Kosovës.

Profesoresha e universitetit ndërhyri përsëri. M’u drejtua me trup nga unë, me krenari ngriti kokën, më vështroj rreptë e me një zë të një gjithëdituri, më këshilloi. Gëzim, ju duhet të harroni luftërat. Ju, shqiptarët, duhet parë nga ardhmëria. Duhet të mësoni të falni. Ja na shikoni neve norvegjezëve. S’keni arsye të mos falni, lufta mbaroi. Ka qeveri të re e demokratike në Serbi, thoshte ajo. Përsëri mbrojta qëndrimin tim se nuk ka marrëdhënie normale e të shëndetshme me shtetin serb nëse kjo nuk kërkon falje publikisht e zyrtarisht. Nxora shumë shembuj të kërkim faljes politike nga historia. Kot! Nuk bindej! Pas 3 orësh. Biseda vazhdoi me plot tema të tjera interesante, serioze, por edhe me plot humor e me gaz. Kur papritmas ndodhi ajo që unë edhe e prisja. Historia e Norvegjisë dhe pushtimi i Norvegjisë nga Gjermania e Rajhut të tretë. U bisedua për dëmet dhe për 10 mijë të vrarët nga nazizmi gjerman.

Zonja K. foli për shkatërrimet e aviacionit gjerman, veçanërisht për ato në veri e në Oslo. Ishte e emocionuar. E kuptoja! Kisha empati, normale kjo. U fol edhe për gjuhën gjermane dhe arsyet se përse, akoma, gjuha gjermane nuk ishte aq e dashur nga nxënësit norvegjez për t’u studiuar. Atëherë edhe atje, intelektualja e nderuar pas ca gotave verë të pira, na tha: “Unë kurrën e kurrës nuk i kaloj pushimet në Gjermani. Biles, as nuk blej biletë aeroplani nga kompanitë e fluturimeve gjermane. As nëpër territorin e Gjermanisë nuk dua të kaloj. Thjesht, na kanë bombarduar dhe më kanë okupuar vendin tim të dashur, Norvegjinë”, tha ajo. Këtë moral të dyfishtë nuk munda t’a përpija e as ta duroja. “Zonja K, ju para ca orësh, këtu para 9 personave na thatë se, duhet pajtim e jo vështrim nga e kaluara, e ju tani më thoni se, nuk shkoni e as nuk kaloni nëpër Gjermani! Ju mbani mënd krimet edhe pas 60 vitesh ndërsa tentoni nga ne, shqiptarët, të harrojmë gjenocidin serb që ndodhi vetëm para 3 vitesh. Si është e mundur kjo që kërkoni diçka nga ne që ju nuk e bëni vetë.

Debati u ndez. Me këtë desha të ngrija një çështje, e të pyes gjithë ata shqiptarë, të cilët presin me orë te tëra për t’u futur në tokën e Serbisë? Si është e mundur, ju, të cilët edhe nuk jeni të varur, tek e fundit, ekonomikisht, as nga Hashimi e as nga Isa, të veproni në këtë mënyrë ?  Çfarë është vetëdija jonë? A ka empati tek ne? Si është e mundur, që ne të investojmë, së paku nga 100 euro për veturë (derivate, ushqim, gjoba e pije), e të ndihmojmë ekonominë e armikut tonë? Armik, i cili është aktiv dhe dëmtues aq sa edhe politikat e Millosheviçit. Por tani jo me tanke e me avionë, por në forma e mënyra tjera? E pakuptueshme është derdhja e milionave euro tek politikat e një shteti që “s’po na lë të marrim frymë?” Kuptohet, secili e secila ka të drejtën e qarkullimit të lirë. Vetëvendosje! Por, kjo dritëshkurtësi e kjo vetëvrasje kolektive, nuk po kuptohet mirë as nga “miqtë tanë ndërkombëtarë”.

(Shkrim nga viti 2010)


 
Loading...