Ministri serb i Mbrojtjes Aleksandar Vulin, ka deklaruar se Serbia dhe presidenti Aleksandar Vuçiq duhet të ndryshojnë qëndrimin ndaj Malit të Zi dhe Maqedonisë, për arsye se këto dy shtete mbështetën anëtarësimin e Kosovës në Interpol, edhe pse në fund ky proces u tregua i pasuksesshëm për Kosovën, pasi nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme.

“Apeloj tek presidenti Vuçiq që të ndryshojë qëndrimet ndaj Malit të Zi dhe Maqedonisë Veriore dhe t’ju tregojë se miqësia me Serbinë duhet të meritohet”, tha ministri Vulin.

Loading...

Ai shtoi se Mali i Zi dhe Maqedonia në Kuvendin e Interpolit kanë qenë të vetëdijshme se me votën “pro” Kosovës do ta ofendojnë Serbinë. “Nëse nuk kanë pasur guxim të votojnë ‘kundër’, kanë mundur të jenë ‘të përmbajtur’ dhe të tregojnë se kujdesen për ndjenjat e Serbisë”, tha Vulin.

Sipas tij, Mali i Zi dhe Maqedonia nuk kanë votuar “pro” Kosovës, por “kundër” Serbisë.

“Votat e tyre nuk e ndryshuan vendimin e Kuvendit të Inverpolit, por Serbia dhe presidenti Vuçiq duhet të ndryshojnë qëndrimin ndaj tyre. Serbia tek ata nuk ka bashkëbisedues të sinqertë”, tha Vulin.

Ndryshe, Kosova dje dështoi të bëhet pjesë e Interpolit pasi nuk arriti të mbledh votat e mjaftueshme.

Loading...