Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Liburn Aliu në një konferencë për media, ka thënë se grafiti në objektin e Teatrit është kërcënim për Vetëvendosjen dhe paralajmërim për vrasje të tjera.

Sipas Aliut me datën 9 janar persona të panjohur deri më tani kanë bërë një grafit në objektin e Teatrit, ku paraqitet një shishe dhe në të shkruan “I’m not a gun”.

Loading...

“Ky grafit në këtë kohë dëshmon dy gjëra, pranimin e vrasjes së Astritit dhe mund të jetë kërcënim për vrasje të tjera. Tani në prag të përpjekjeve për marrëveshje, pushteti ka tentuar të dobësoje VV në shumë forma, por këto forma i kanë dështuar. Ky grafit dëshmon se ajo ka qenë arma e vrasjes. Ky grafit paralajmëron vrasje të tjera”, ka thënë Aliu.

Sipas Aliut, edhe vdekja e dëshmitarit kryesor në vdekjen e Astrit Deharit, tregon që ai është vrarë dhe nuk ka vdekur.

“Muaj më vonë dëshmitari kryesor Naser Makolli, që ishte i burgosur bashkë me Astritin, vdiq dhe vdekja e tij u konsiderua e natyrshme”, ka thënë ai.

Deputeti Aliu iu ka bërë thirrje Prokurorisë dhe Policisë që të fillojnë hetimet, pasi sipas tij ky grafit është një kërcënim serioz për Vetëvendosjen.

“Iu bëjmë thirrje Prokurorisë dhe Policisë që të veprojnë menjëherë dhe të fillojnë hetimet ndaj kësaj që ne e konsiderojmë kërcënim”. Ai ka deklaruar se pushteti ka dështuar që ta dobësojë Lëvizjen Vetëvendosje, pasi ‘as grafitet dhe as kërcënimet nuk e ndalin Vetëvendosjen. Ne po ia arrijmë të ndalim këtë proces dhe Kosova do të kthehet në rrugë të mbarë’.

Loading...