Shpërndaje

Analisti Mustafa Nano, në një shkrim për gazetën Mapo, thekson se në selinë blu, të gjithë po bëjnë garë për t’u dukur më berishian se tjetri.

“Kundërshtarët e Bashës brenda partisë kërkojnë ta kompleksojnë, duke e sulmuar me tezën se ai nuk i afrohet Berishës as deri te gishtat e këmbëve, dhe si kundërpërgjigje, Basha shton përpjekjet që t’i ngjajë sa më shumë Berishës. Kjo është loja e vetme që bëhet në PD. Të gjithë atje kanë veç një garë me njëri-tjetrin: Si t’i ngjajnë Berishës sa më shumë, si ta lartësojnë sa më shumë atë, si t’i hyjnë sa më shumë në zemër. Diçka e ngjashme ndodh sot në Korenë e Veriut. Me Kim Jong-un-in.

…Ishte domethënës reagimi i tij pas lajmit se Berisha do thirrej në gjyqin e Shullazit. Berisha është shprehur disa herë mbi Shullazin, e mbi bëmat të tij, dhe është gjëja më logjike që ai të thirret për të dëshmuar në gjyqin e tij. Dhe kështu u vendos. E vendosi gjyqtari i çështjes. Berisha vetë nuk tha asnjë fjalë pas këtij vendimi. As të tjerët. E nuk kish se çfarë të thoshin, pasi nuk ka ndodhur asgjë e çuditshme. Nuk ka asnjë problem në këtë mes. Nuk ka pse të ketë. Thjesht është kërkuar të dëshmojë në gjyq një person që ka treguar se ka informacion mbi të pandehurin. Mirëpo Bashës nuk iu durua. Foli,” shkruan Nano.

Sipas tij, askush nuk e sheh Berishën si problemin kryesor të PD, por e shohin si zgjidhje. Nano thotë se ky është problemi kryesor i demokratëve.

“Po pse Basha sillet kështu? Së pari, sepse ai nuk është asgjë pa Berishën, dhe së dyti, sepse ky është pakti: Basha do të bëjë çmos që partinë ta mbajë në funksion të interesave, frikërave, paranojave të Berishës e të familjes së tij, dhe Berisha do bëjë çfarë ka në dorë që Basha të jetë në krye të PD-së. Dhe kaq i lipset Bashës”.