Shpërndaje

Në vitin 1962, politologu anglez Bernard Crick botoi veprën “Në mbrojtje të politikës”. Ai thoshte se arti i negociatave politike, larg të qënit i ndyrë, lejon që njerëzit me bindje të ndryshme të jetojnë bashkë në një shoqëri paqësore e në prosperitet. Në një demokraci liberale, asnjë nuk merr tamam atë çfarë do, por kushdo ka përgjithësisht lirinë të bëjë jetën që zgjedh. Sidoqoftë, pa ndonjë informacion të duhur, pa qytetërim dhe pa pajtim, shoqëritë i zgjidhin mospajtimet e tyre duke iu drejtuar forcës.

Crick do të tronditej nga falsiteti dhe partishmëria e shfaqur në dëgjesat e komitetit të Senatit këtë javë në Washington. Facebook ka bërë me dije se para dhe pas zgjedhjeve amerikane të vitit të shkuar, mes janarit 2015 dhe gushtit të këtij viti, 146 milionë përdorues mund të jenë përballur me keqinformimin rus në këtë platformë. YouTube pranoi 1,108 video të lidhura me rusët dhe Twitteri rreth 36,746 llogari. Kështu, mediat sociale kanë shpërndarë helm.

Telashet e shkaktuara nga Rusia janë veç fillimi. Nga Afrika e Jugut deri në Spanjë, politika po bëhet edhe më e shëmtuar. Duke shpërndarë të pavërtetën dhe zemëratën, duke dëmtuar gjykimin e votuesve, media sociale gërryen kushtet për negociatat politike me të cilat Crick mendoi të ushqente lirinë.

Përdorimi i medias sociale nuk shkakton më shumë ndarje sa e përforcon atë. Kriza financiare e viteve 2007-2008 nxiti zemërimin popullor ndaj elitës së pasur që i kishte lënë të tjerët prapa. Luftërat e kulturës i kanë ndarë votuesit nga identiteti, më shumë sesa nga klasa. Mediat sociale nuk janë të vetme në fuqinë e tyre për të polarizuar – thjesht shihni TV-të kabllorë dhe emisionet e debatit. Nëse Fox News tashmë njihet, platformat e medieve sociale janë të reja dhe ende nuk janë kuptuar sa duhet. Dhe, për shkak të mënyrës se si funksionojnë ato zotërojnë ndikim të jashtëzakonshëm.

Ato fitojnë para duke vendosur fotografi, postime personale, lajme dhe reklama përballë jush. Për shkak se mund të matin mënyrën tuaj të reagimit, e dinë si të futen nën lëkurën tuaj. Ato mbledhin të dhëna rreth jush që të kenë algoritme për të përcaktuar se çfarë doni, në një “ekonomi vëmendjeje” që i bënë përdoruesit të shpalosin, klikojnë dhe shpërndajnë gjërat përsëri dhe përsëri.

Kushdo mund të prodhojë dhjetëra reklama, t’i analizojë dhe të shohë se cila rezistohet më së vështiri. Rezultati është bindës: një studim ka zbuluar se përdoruesit në vendet e pasura i prekin telefonat e tyre celularë 2600 herë në ditë. Do të ishte e mrekullueshme nëse një sistem i tillë do të ndihmonte dijen dhe të vërtetën që të dalë në sipërfaqe.

Meqë palë të ndryshme shohin fakte të ndryshme, ato nuk kanë bazë empirike për kompromis. Për shkak se secila anë dëgjon se pala tjetër nuk është e aftë për asgjë veçse për të gënjyer, mashtruar dhe shpifur, sistemi ka pak hapësirë për empati. Meqë njerëzit kanë ngecur në një vorbull të gjërave pa vlerë, skandalit dhe zemëratës, ata humbasin pikëpamjen se çka ka rëndësi për shoqërinë që e ndajnë së bashku.

Ç’duhet bërë? Njerëzit do të përshtaten, siç bëjnë gjithnjë. Një analizë e kësaj jave ka zbuluar se vetëm 37 për qind e amerikanëve u besojnë gjërave që marrin nga mediat sociale – sa gjysma e përqindjes së atyre që u besojnë gazetave dhe revistave të shtypura.

Disa po u bëjnë thirrje kompanive të mediave sociale, si dhe botuesve, të jenë të përgjegjshëm për atë çka shfaqet në platformat e tyre; të jenë më transparentë dhe të trajtohen si monopole që duhen thyer.

Kompanitë e mediave sociale duhet të rregullojnë faqet e tyre për ta bërë të qartë nëse një postim vjen nga një mik apo burim i besuar. Ato mund të shoqërojnë shpërndarjen e postimeve me lajmërime e rrezikut që vjen nga keqinformimi.

Robotët e internetit përdoren shpesh për të përforcuar mesazhet politike. Mediat duhet të pengojnë më të keqen, ose të paktën ta shënjojë atë. Mbi të gjitha mund të përshtatin algoritmet për të vendosur lajmet që thithin klikime diku poshtë. Meqë këto ndryshime janë masa kundër një modeli biznesi të hartuar për të monopolizuar vëmendjen, ato duhet të caktohen me ligj apo me një rregullator.

Mediat sociale po keqpërdoren. Por, shoqëria mund t’i shfrytëzojë dhe të ringjallë atë ëndërr të hershme të përndritjes. Ndryshe, çmimi për demokraci liberale mund të jenë më i lartë se kaq. /Tiranapost/MekuliPress/