Shpërndaje

Vizioni i përbashkët franko-gjerman i bashkëpunimit midis vendeve evropiane në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes merr “udhë” pas nënshkrimit nga 23 vende të BE-së të planit për mbrojtjen e përbashkët ushtarake.

Marrëveshja njihet si Bashkëpunimi i Përhershëm Strukturor (PESCO). Pjesëmarrësit e takimit nënshkruan një sërë angazhimesh që “përfshijnë rritjen e shpenzimeve për kërkime dhe teknologjinë në sektorin e mbrojtjes në masën  2% të shpenzimeve totale të mbrojtjes” dhe “rritje të rregullt në terma realë për  buxhetet e mbrojtjes”

Ministri i jashtëm francez Jean-Yves Le Briand e quajti marrëveshjen “një hap të rëndësishëm” dhe tha se duhet ecur përpara me bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes. “Sot ne diskutuam formimin e një industrie të mbrojtjes evropiane”- tha ministri grek Nikos Kotzias.

Vitin e kaluar Franca dhe Gjermania morën iniciativën për të propozuar projektin dhe largimi i Britanisë së Madhe nga ‘familja’ evropiane e bëri më të lehtë zbatimin e kësaj ideje. Mbretëria e Bashkuar ka qenë tradicionalisht një vend i cili ka pohuar se NATO përfaqëson vijën e përbashkët të mbrojtjes Europiane duke shprehur kundërshtime serioze për nismat e tjera mbrojtëse të Bashkimit Europian.

“Do të jetë një ditë historike për mbrojtjen evropiane”-u tha gazetarëve shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini para takimit të ministrave të jashtëm. Kundër votuan Danimarka, Malta dhe Portugalia.

Shtetet Anëtare që nënshkruan marrëveshjen janë: Austria, Belgjika, Bullgaria, Republika Çeke, Kroacia, Qipro, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Holanda, Polonia, Rumania, Sllovenia, Sllovakia, Spanja dhe Suedia, ndërsa shtetet e tjera anëtare mund të marrin pjesë në një fazë të mëvonshme.