Shpërndaje

 “Shqipëria nuk është më në 10 vendet e para për kërkesat për azil në rajon. Që prej fundit të vitit 2016,  ka rënie të ndjeshme të kërkesave”, deklaroi të martën Florenc Qosja, drejtor i Qendrës gjermane për informacion dhe migrim, arsim dhe karrierë (DIMAK).

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët në mjediset e ambasadës gjermane në Tiranë, Qosja theksoi se nga janari i këtij viti deri tani janë kthyer 4519 persona, që kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian”.

Sipas tij, gjatë këtij viti kemi 72% azilkërkues më pak .

“Në vitin 2015 kishte një numër të lartë të azilkërkuesve, ndërsa në 2016, nisi rënia e kërkesave të shqiptarëve që kërkonin azil në vendet e BE-së”, u shpreh Qosja. Ai shtoi se kthimi i azilkërkuesve është pozitiv.

Ndërsa përfaqësuesja e zyrës së punës në Shqipëri, Erina Gaxho, u shpreh se “kemi më shumë aplikuese femra për punësim jashtë vendit”.

Qendra gjermane për informacion dhe migrim, arsim dhe karrierë (DIMAK) është një institucion, që ndërlidh zyrën e punës shqiptare.

Qendrën e trajnimeve dhe politikat e migracionit të Gjermanisë. Personat që kërkojnë të punësohen në Gjermani interesohen tek kjo zyrë dhe përmes kësaj zyre analizohet situata, gjendet trajnimi i duhur dhe më pas ndiqen procedurat.