Shpërndaje

Emisioni social “Njerëz në Fokus” i gazetares Ola Bruko në News24 i ka ardhur në ndihmë një vajze 11-vjeçare me sindromën down e cila nuk pranohej në një shkollë normale. Vajza E. Gjoni nga Durrësi është dërguar nga Drejtoria Arsimore në një shkollë speciale për fëmijë, por sipas prindërve 11-vjeçarja ka bërë regres në zhvillimin e saj.

Ndaj prindërit e saj kanë bërë kërkesë për ta dërguar në një shkollë normale por kjo gjë nuk është pranuar. Por sot pas intervistës së nënës, “Njerëz në Fokus” ka komunikuar me Ministrinë e Arsimit. Rosalba Merdani, përgjegjëse e sektorit për politikat e Arsimit në MAS pas sqarimit se çfarë ndodh në këto raste, premtoi të angazhohej për zgjidhjen e çështjes së 11-vjeçares.

“DAR i Durrësit ngre komisionin multidisiplinar që vlerëson fëmijët se ku do arsimohen dhe jep rekomandimin. Ky rekomandim bazohet strikt në nevojën dhe mundësinë që ka fëmija për t’u arsimuar. Ky mund të jetë arsim special ose arsim gjithëpërfshirës. Në këtë rast komisioni është i detyruar që ta rivlerësojë situatën dhe të japë rekomandim për t’u arsimuar në shkollë gjithëpërfshirëse dhe të provojë edhe këtë model arsimimi.
Është drejtoria arsimore që përcakton shkollën ku do shkojë fëmija në varësi të mundësisë që ka. Durrësi ka mësues ndihmës dhe është në fazën e plotësimit me mësues të rinj ndihmës dhe do të trajtohet ky rast në këtë mënyrë. Do ta ndjekim këtë rast. Ne nuk kemi dijeni për këtë rast, është rast i panjohur për mua, do ta ndjekim me drejtorinë arsimore dhe do t’i japim një zgjidhje patjetër”, tha Merdani.