Shpërndaje
Televizioni publik, ndër tjerash, ka për detyrë kultivimin dhe ruajtjen e gjuhës shqipe. Pra, pa “najs – najse” e pa “okej, okej” e pa “kull, njeri kull”.
 
Ja disa gabime gjuhësore të televizionit publik të Tiranës dhe të Prishtinës:
1) Keqshqiptime si “eleminoj” në vend të “eliminoj”, “kompromentoj” në vend të “komprometoj”, “recension” në vend të “recesion” etj. etj.;
2) Huazime të panevojshme si “trojka” në vend të “treshja”, “demarkacioni” në vend të “shenjimi”, “aplikim” e “aplikoj” në vend të “kërkesë” e “bëj kërkesë”, “menaxhim” e “menaxhoj” në vend të “administrim” e “administroj”, “limit” në vend të “cak, kufi”, “ekstrem” në vend të “skaj” apo në vend të “i skajshëm”, “evitim” e “evitoj” në vend të “shmangie” dhe “shmang”, “siguracion” në vend të “sigurim”, “benefit” në vend të “përfitim”, “skonto” në vend të “ulje, zbritje (çmimesh)”, “prioritet” në vend të “përparësi”, “prioritar” në vend të “(për)parësor”, “demarsh” në vend të “përçapje”, “evakuoj” në vend të “a) zbraz b) largoj, shpërngul, “akordoj” në vend të “jap”, “fiskal” në vend të “tatimor”, “minoren” në vend të “i mitur”, “maxhorancë” në vend të “shumicë”, “minorancë” në vend të “pakicë”, “resurse” në vend të “burime”, “implementim” dhe “implementoj” në vend të “zbatim” dhe “zbatoj”, “impresion” në vend të “përshtypje, mbresë”, “komod” në vend të “i volitshëm, i përshtatshëm”, “akomodim” dhe “akomodohem” në vend të “sistemim” dhe “sistemohem”, “suport” dhe “suportoj” në vend të “mbështetje, përkrahje” dhe “mbështes, përkrah”, “kooperim” dhe “kooperoj” në vend të “bashkëpunim” dhe “bashkëpunoj”, “kredibël” dhe “kredibilitet” në vend të “i besueshëm” dhe “besueshmëri”, “perfekt” në vend të “i përsosur, i përkryer” etj., etj.
 
3) Përsëritje të panevojshme si: “Do të ndërtohen kaq shkolla të reja…”, “gara konkurruese”, “prioritet kryesor”, “impresione mbresëlënëse”, etj., etj.
4) Absurditete si “demilitarizimi i municioneve” në vend të “çmontimi dhe asgjësimi i municioneve”, “mosha e internetit” në vend të “koha e internetit” etj., etj.
5) Gabime gramatikore si: “Takimet që pala shqiptare ka zhvilluar me homologët e tyre grekë…” në vend të “takimet që pala shqiptare ka zhvilluar me homologët e saj grekë…”, etj. etj.
6) Mënyra të shprehuri të përçudnuara si “Ministria X është e gatshme dhe bashkëpunuese për të kryer…” në vend të “Ministria X është e gatshme të bashkëpunojë për të kryer…”. Sigurisht që faji nuk është aq i “aktorëve”, pra i folëseve dhe i folësve, të cilët, në fund të fundit, vetëm lexojnë në pronter çka u shërbejnë “skenaristët”, pra, redaktoret e redaktorët, sesa i këtyre të fundit që, me sa duket, harrojnë se gjuha shqipe ka ca rregulla themelore, të cilat duhen respektuar nëse ata duan që komunikimi me masën e teleshikuesve të jetë sa më i efektshëm.
Përgjegjësi ka edhe “regjisori”, pra, drejtori i informacionit.
Televizionet publike kanë për detyrë të natyrshme ta mbrojnë pastërtinë e gjuhës shqipe (sigurisht, pa e penguar pasurimin e kësaj) në të mirë të ndërgjegjes kombëtare jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Çamëri e kudo gjetkë jetojnë shqiptarë që flasin, mendojnë dhe ëndërrojnë në gjuhën e tyre amtare.