I akuzojnë aktivistët e LV se janë të ashpër. Ia ngjisin këtë etiketë me synimin për t’i diskredituar, dhe kështu automatikisht ngrejnë si vlerë të qenurit “të butë” me çdo kusht. Por ç’vlerë ka të jesh “i butë”, për shembull, kur sheh një përdhunim në krahun tjetër të rrugës? Ç’vlerë ka të jesh “i butë” kur t’i burgosin e vrasin shokët e idealit? Ç’vlerë ka të jesh “i butë” para dhunës strukturore e të përditshme të këtij regjimi? Të jesh “i butë” para këtyre padrejtësive, është të pajtohesh e t’i nënshtrohesh ashpërsisë së dhunës së atyre që e ushtrojnë atë nga lart.

Loading...

Nuk harrojmë se kur gratë në ShBA dhe Evropë kërkonin me ngulm një shekull më herët të drejtat e tyre të plota politike dhe ekonomike u thuhej se po silleshin si shumë “të ashpra” ndërkohë që roli i gruas ishte të sillej “butë”. Nuk harrojmë se edhe prej skllevërve është kërkuar përherë “butësi” karshi padronëve dhe miqve të padronëve të tyre. Nuk harrojmë se edhe Serbia e quante shqiptarin “të egër”, ndërkohë që pretendonte se po e “qytetëronte” duke e “zbutur”.

“Zbutja” përball dhunimit është mënyra se si ideologjia mbizotëruese tenton ta ngrejë nënshtrimin në vlerë. “Zbutja” përball padrejtësivë është përherë kërkesë e kësaj ideologjie, edhe kur artikulohet nga “një mik që ta do të mirën”.

Secili njeri duhet ta ketë të drejtën dhe ta përjetoi dimensionin e butë të vetes, por jo kur kjo i imponohet si vlerë për t’i zgjatur jetën padrejtësive.


 
Loading...