ATA kundër NESH – Reorika dhe “fotografia e armikut”

Gëzim Mekuli

Loading...

Fjalë të rënda, ofendime, shpifje e gjuhë vulgare po zhvillohet në debatet politike. Mediat e shqiptarëve, ne veçanti televizionet e shqiptarëve, më shumë po ofrojnë zhurmë, sesa ide të reja për dalje nga kriza politike. Si pasojë e grindjeve publike, që po mbizotëron në hapsirën  publike, debati tashmë, ka filluar të përjashtohet, të injorohet e të kritikohet hapur nga qytetarët.

Fjala, fotografia dhe kallashnikovi janë armë të rrezikshme. Këto armë, politikanët shqiptarë, po i keqpërdorin.

Si bëhet ky keqpërdorim?

Është kjo pyetje që do përgjigje. Njëra nga përgjigjet është përdorimi i retorikës dhe sajimi i “fotografisë së armikut” nga retorika.

Retorika agresive – e përkrahur nga mediat shqipe – po kontribon në sajimin e urrejtjes dhe në përceptimin se çdo gjë që vie nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga intelektualët kritik e të pavarur, është e keqe dhe e zezë për Kosovën. Dhe, është mu kjo aferë që riaktualizon analizën e “fotografisë se armikut” si fenomen retorik.

Retorika nuk është ajo që vetëm krijon “fotografi të armikut”. Ajo mund edhe t’ì pengoj ose t’ì shkatërroj ato. Megjithatë, retorika e mirë krijon edhe paqe, mirëqenje dhe mirëkuptim.

Në fushën e propagandës është çështje e njohur se kundërshtari duhet të paraqitët si i keq, jo-njeri dhe jo-demokratik. Kundërshtari politik paraqitet edhe si armik. Sa më pak armiku na përngjanë neve, aq më i urryer dhe më tiran është ai.

Propaganda naziste

Propaganda e nazistëve përdorte strategjitë e mirënjohura për të sajuar “fotografi të armikut”: Edhe retorika e medieve të pushteteve të Kosovës ka për qëllim që ta ndërton opinionin polarizues: “NE – kundër – ATYRE”. Lëvizja Vetëvendosje, të pandikuarit nga politika e pushtetve, duhet të shpallen si «armik», dhe t’i akuzoj këto si shkaktare të të gjitha problemeve në Kosovë – po, mu ashtu sikurse në ish-Jugosllavi, në vitet e 90-ta, kur Shqiptarët, Kroatët, Boshnjakët dhe Sllovenët konsideroheshin si kombe të dëmshme, e të cilët duhej asgjësuar. Rezultat i kësaj retorike ishte vrasja e masive e popujve joserb.

Propaganda bashkëkohore

Pas 11 shtatorit fotografia e armikut ka të bëjë më shumë me kontrollin e hapësirës publike, Tani, ”fotografia e armikut” ndërtohet për të fituar “kucjen” në hapësirën publike, pra për të bindur popullin.

Njëri ndër hulumtuesit më të njohur në retorikën e luftës, Robert Ivie, ka përshkruar se si SHBA-të gjithmonë i ka paraqitur armiqtë e tij si sulmues të egër, të udhëhequr nga epshet irracionale, dhuna dhe fuqia shkatërruese. Kjo fotografi politike përforcohet përmes fotografive përdalluese nga “NE”, SHBA-të, që janë paqedashëse, racionale dhe civilizuese. Këtu vinë figurat stilistike siç është krahasimi. Për shembull: pushteti i armëve kundrejt paqes, iracionaliteti kundrejt racionalitetit, agresiviteti kundrejt mbrojtjes, barbarët e egër kundrejt NESH, botës së civilizuar. Të gjitha këto se bashku sajojnë fotografinë retorike të armikut, e, që çon njerëzit në trazira e në luftë.

A e meritojnë një retorikë të tillë të luftës shqiptarët e Kosovës?
Retorika e dreqit

Ata që sajojnë “fotografinë e armikut”, paraqesin vetën e tyre si viktimë, demokratë e të butë, ndërsa kundërshtarin e paraqesin si kriminel, si komunist e të egër. Pra, para se të sulmosh armikun, duhet ta paraqitësh atë si vet dreqin. “Retorika e dreqit” mbyllë hapësirën për nuancime dhe baraspeshë. Këtu nuk mund të vlerësosh përparësitë dhe dobësitë e “njeriut armik.” Ai/Ajo që është kritike ndaj “fotografisë së dreqit”, nuk ka vend e as mundësi të manovroj në mënyrë retorike. “Motivi i dreqit” i pengon zërat kritik. Hapësira në media të ngushtohet. Ke mundësi të shkruash e të flasësh tek ndonjë gazetë apo radio e vockël e periferike dhe, ndoshta, edhe tek gruaja e jote mund të thuash diçka, por jo më shumë!

ATA kundër NEVE – NE ose ATA

Nëse nuk ke pasur sukses që të sajosh një «NE» dhe «ATA» të qartë, atëherë nuk ke mundësi të sajosh “fotografi të armikut” apo të kontrollosh e të eskalosh situatën. Pa «NE» kundër «ATYRE», nuk do të kishim kampe naziste të përqendrimit, nuk do të kishim lutën e ftoftë, nuk do të kishim Aparteid, nuk do të kishte mure në rripin e gazës, e, mure në Mitrovicën e vogël. Nëse nuk ke bindur popullin që të besoj në dallimet në mes njerëzve nuk do të kishe Izraelin dhe Palestinën, Serbët dhe Shqiptarët, Islamistët dhe krishterët. Nuk do të gjeje as edhe një njeri të pilotoje aeroplanin drejtë e në World Trade Center, e as një terrorist në koncerte të fëmijëve

Pikërisht, në fushën retorike e të propagandës, qëndron edhe dështimi i projektit qesharak “kombi kosovar”. Sepse “këta” nuk shfrytëzuan retorikas të mëdhenj që të krijojnë fotografinë e «ATYRE», Shqipërisë “armike” e “të keqe”, kundër «NEVE», kosovarëve «të sinqertë» e trima, e gjithmonë të përdorur nga Shqipëria e keqe. Apo edhe e kundërta.

Studimet retorike dhe psikosociale kanë treguar se sa e fortë është fuqia e ndarë në grupe dhe, sa e lehtë është që të ndërsesh popullin kundër njeri-tjetrit. Dhe, këtë fenomen të luftës në përpikëri është duke e kryer retorika e keqe e mediave të qeverive të pasluftës.

Sajimet si «ATA» kundër «NESH» kanë ndikime e fuqi narkotike tek njeriu. Kjo fuqi e kjo dozë narkotike na bënë që të pranojmë “fotografinë e armikut” dhe të sulmojmë njerëzit e tjerë. Ne e kuptojmë botën me kundërthënie si për shembull: i lartë në raport me të ulët, i zi në raport me të bardhë, i pasuri në raport me të varfrin, Suksesin në raport me Humbjen, i civilizuar në raport me të pacivilizuarin, demokrat në raport me autokratin, Komunizmin në raport me Kapitalizmin, Katundarin në raport me Qytetarin…etj, etj. Pra, nuk ekzistoj unë, nëse nuk je ti.

Debati i keq politik dhe mediat shqipe çdoherë ftojnë që të jemi pjesë e një grupi të caktuar; Por ne duhet të jemi të vetëdijshëm se në ç’farë forme ne ftohemi qe të marrim pjesë; Ç’farë grupi, ç’farë njerëzve dhe ç’farë veprimesh sajojnë miqtë dhe këshilltarët e këtyre mediave dhe të këtyre politikanënev me retoriken e tyre?

Nëse Thaçi & Co flet për “të tjerët”. Nëse ish-qeveria rrëfen se si janë «ATA», dhe se ç’farë bëjnë «ATA»; Nëse RTK na shpjegon se përse «ATA» janë plotësisht të ndryshëm nga «NE», apo nëse thonë se «ATA» po «kërcënojnë vizat, rendin dhe shoqërinë demokratike», atëherë duhet të jemi më të kujdesshëm e më syçelë.

“Fotografinë e armikut” mediat e pushtetit janë duke e intensifikuar shumë gjatë këtyre ditëve. Shkaku dihet: 11 qershori po vjen!

(Autori është kritik i medieve dhe është këshilltar për media për një parti politike norvegjeze)


 
Loading...