Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu ka folur në një konferencë të organizuar nga Vetëvendosje lidhur me tërheqjen e papritur nga debati nga ana e kandidatit për kryeministër të PDK-së, AAK-së e Nismës, Ramush Haradinaj.

Loading...

Sejdiu ka thënë se kjo tërheqje e Haradinajt është vetëm arsyetim, sepse, sipas tij, ai nuk ka program e as alternativë, e madje as guxim që të ballafaqohet me kandidatin e VV-së për kryeministër, Albin Kurti.

“Koalicioni PDK-AAK-NISMA-PDKa nuk ka as program, nuk ka cfarë të shpërfaqë para qytetarëve. Është ikje nga ballafaqimi me Albin Kurtin. Është ikje nga ajo çfarë prezanton Vetëvendosje”, ka thënë ai.

Sipas Sejdiut, kjo tërheqje e Haradinajt nuk është respektim i ligjit, por është shkelje e hapësirës për debat.

“Duke i ikur debatit, duke iu shmangur ballafaqimit të debatit, në fakt, është shkelje e pak kësaj hapësire që ka mbetur. Nuk ka këtu shkelje ligji. Ballafaqim programesh e debate bëjmë çdo ditë, në çdo emision televiziv”, ka theksuar Sejdiu.

Sejdiu ka shkuar edhe më tej. Ai ka thënë se kjo është vetëm një alibi, duke lënë të kuptohet se vendimi i KPM-së ka qenë i përgatitur nga vet Kadri Veseli, nga frika se mos Haradinaj humb debatin.

“Përderisa përdor një vendim të KPM-së si alibi për tërheqje… Si zakonisht, PDK-ja e sidomos Kadri Veseli fshihet prapa tjetërkujt. Ky është zanati i tij.  Në mungesë të një programi, në mungesë të një alternative, në mungesë të guximit, natyrisht se i ikin ballafaqimit. Po shihet qartë se vetëm një njeri është i gatshëm të ballafaqohet me të tjerët, të marrë përgjegjësi për të udhëhequr me Republikën e Kosovës, e ky është kryeministri i ardhshëm, Albin Kurti”, ka thënë ai.

Sejdiu ka thënë se arsyetimi është i pabazë, meqenëse përfaqësues të këtij koalicioni vazhdojnë pjesëmarrjen në debate, përkundër vendimit të KPM-së.

Po ashtu, sipas Sejdiu përfaqësues të këtij koalicioni kanë kërkuar që në debate të marrin pjesë nga tre përfaqësues të tij, e vetëm një nga Vetëvendosje, me qëllimin që të mbysin hapësirën debatuese dhe t’ia pamundësojnë Vetëvendosjes shpërfaqjen e programit.


 
Loading...