Një ditë pas hyrjes në fuqi të vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e taksës me 100 për qind për produktet që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina në drejtim të Kosovës, Dogana e Kosovës thotë se ky vendim është duke u zbatuar në tërësi.

Loading...

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, tha për Telegrafin se vendimi është duke u zbatuar plotësisht dhe pa pengesa.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e taksës me 100 për qind për produktet importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina në drejtim të Kosovës është duke u zbatuar plotësisht në të gjithë pikat doganore”, tha  Stavileci.

Ai tha se nuk janë duke u shkaktuar vonesa në pikat doganore gjatë zbatimit.

“Të gjithë pikat doganore janë në funksion të plotë dhe nuk ka vonesa apo kaos gjatë zbatimit të këtij vendimi”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës në profilin e tij zyrtar në Facebook, ka thënë se vendimi hy në fuqi menjëherë dhe ajo duhet zbatuar.

“Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme, ka marrë vendim që të vendoset masa prej 100 pwr qind ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, përjashtuar brendet ndërkombëtare të listuara në aneks. Po ashtu, Qeveria e vendit obligon Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë dhe të gjitha institucionet relevante, që të largojnë dhe të ndalojnë importin dhe hyrjen potenciale në treg të të gjitha produkteve, të cilat nuk i referohen dhe janë në kundërshtim me emërtimin zyrtar dhe kushtetues të Republikës së Kosovës. Vendimi hyn në fuqi menjëherë – institucionet relevante obligohen ta zbatojnë po ashtu menjëherë”, ka shkruar ai.

Kujtojmë se me 6 nëntor për herë të parë ishte vendosur taksa prej 10 për qind për produktet që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Loading...