Media duhet të jetë e lirë dhe e pavarur. Por si mund të jenë të lirë gazetarët shqiptarë, kur shpesh paguhen me vonesë, apo edhe nuk paguhen për punën e bërë. Janë gazetarët shqiptarë lodër në duart e bosëve të mediave?

Loading...

Të jesh gazetar është një profesion i ëndërruar. Edhe në Kosovë e edhe në Shqipëri shumë vetë e kanë këtë ëndërr, por gazetarëve shqiptarë iu duhet të paguajnë për të një çmim shumë të lartë. Mbi fasadën shumëngjyrëshe mediatike shqiptare prej kohësh bie një hije e errët. Bëhet fjalë për vonesa të rrogave mujore, apo edhe mospagime të tyre. Një hije kjo që duhet t’i bënte gazetarët të ngriheshin në këmbë, të dilnin në greva, të lëviznin nga vendi kolltukët e pushtetit, deri sa të zgjidhej shqetësimi i tyre ekzistencial, marrja e rrogës në ditën e përcaktuar, pa asnjë vonesë.

Frika nga humbja e vendit të punës

Gazetarët shqiptarë durojnë për një arsye të thjeshtë – sa triviale aq edhe tronditëse për pavarësinë e gazetarisë shqipe: Frika nga humbja e vendit të punës, e cila me sa duket është më e madhe se ngritja e zërit kundër bosëve të mediave. Rrallë zhvillohen protesta.

Rroga si mjet presioni

Të tjerët – janë bosët e mediave private shqipe. Në Kosovë e në Shqipëri ata me sa duket ndjehen aq të fuqishëm, sa mund të ushtrojnë presion ndaj punonjësve pa iu trembur aspak syri për ndonjë pasojë.

Një pronar mediash mund ta pushojë një gazetar nga puna dhe nuk ndodh asgjë. Vetë gazetarët shpesh nuk i kërkojnë të drejtat  e tyre, sepse ndodhen në marrëdhënie pune gjysmë të rregullta. Kjo i bën ata të varur, aq sa të mos munden dot të protestojnë.

Kontrata të njëanshme

Janë lënë gazetarët shqiptarë në mëshirë të fatit, që ka pamjen e pronarit të medias private. Nuk veprojnë dot ligjet apo institucionet për të mbrojtur median, atë që njihet si “pushteti i katërt”, apo një gazetari e pavarur nuk i intereson realisht kujt në Kosovë e as në Shqipëri, sepse sjell kokëçarje, aty ku nuk duhet të sjellë?

Lidhja me pushtetin

Duket se bosët shqiptarë të medias sillen si zotër të paprekshëm. Por çfarë u jep atyre kaq siguri, mos fshihet pas tyre një dorë mbrojtëse e padukshme, që vepron sipas parimit – njëra dorë lan tjetrën, të dyja, jo vetëm na lajnë fytyrën mirë, por na ndihmojnë ta ruajmë atë – pra për të mos e humbur pushtetin.

Prej vitesh flitet për fijet e përziera keq të politikës me pronarët e mediave. Shumë gazetarë e kritikojnë këtë flirtim. Shumë media kanë falimentuar, po mbijetojnë vetëm ato media që kanë lidhje me pushtetin politik. E gazetarët nuk e hapin gojën, sepse janë nën kërcënimin e bukës së gojës.


 
Loading...