BIRN Albania, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë, Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë, AIS/Open Data Albania, Civil Rights Defenders dhe Këshilli Shqiptar i Medias kanë reaguar njëzëri nëpërmjet një deklarate kundër dy projektligjeve që synojnë, sipas tyre, krijimin e një regjimi kontrolli qeveritar mbi mediat.

Dy projekligjet, të propozuara prej Këshillit të Ministrave e të shpërndara nga AMA në datën 11 dhjetor për median online, përfshijnë si gjoba deri në 1 milion lekë të reja për portalet, por edhe mbylljen e tyre për një vit.

Loading...

Sipas organizatave të mësipërme, këto projektligje janë tentativa e katërt për të vendosur një regjim kontrolli qeveritar mbi mediat në më pak se katër vite.

“Projektligjet janë prezantuar për konsultim publik, pa u shoqëruar me një relacion shpjegues mbi nevojën apo jo për ligje të tilla, pa studime të mirëfillta për gjendjen aktuale, pa identifikuar probleme të mundshme dhe pa arsyetuar nevojën e ndërhyrjes dhe masën e saj.” – thuhet në deklaratë.

Organizatat e sipërpërmendura e shohin këtë veprim të qeverisë Rama si një tentativë  për të vënë nën kontroll të plotë informacionin.

“Parë kjo në kuadër të gjendjes aktuale të medias në Shqipëri, me dominimin e “lajmeve” false që shpërndahen nga zyrat e shtypit dhe që prezantohen si informacione të pavarura në median konvencionale, kryesisht televizione, synimi i projektligjeve duket se është vendosja nën kontroll të plotë të informacionit në duart e qeverisë.” – shkruhet në deklaratë.

Organizatat i japin rëndësi edhe partitizimit të institucioneve. Edhe në rast të miratimit të këtyre projektligjeve, vetë institucionet shtetërore nuk japin garanci për mbiqkyrje të pavarur dhe profesionale të mediave online, për vetë faktin se janë të partitizuara.

Organizatat kujtojnë edhe përkeqësimin e vazhdueshëm të lirisë së medias në Shqipëri.

“Gjendja e lirisë së medias në Shqipëri sakaq është e keqe dhe në përkeqësim të vazhdueshëm. Treguesi i lirisë së medias sipas vlerësimit të Freedom House ka rënë nga 3.75 pikë në vitin 2009 në 4.25 pikë më 2016 dhe aktualisht gjendet shumë pranë nivelit të lirisë së medias në vendet me regjime totalitare, siç janë ato të vendeve ish-sovjetike.

Shkaku i përkeqësimit të lirisë së medias nuk është tepria e lirisë, por mungesa e saj.” – shkruhet në deklaratë.

Në një reagim të datës 20 dhjetor, Këshilli Shqiptar i Medias vuri në dukje edhe një aspekt tjetër të një skenari kur dy projektligjet: “DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.97/2013 “PËR MEDIAT AUDIOVIZIVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR” dhe “DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 9918, DATË 19.5.2008 “PËR KOMUNIKIMET ELEKTRONIKE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË” I NDRYSHUAR”, mund të votohen në Kuvend.

“Shqetësues është dhe fakti që projektligji për AMA-n i jep të drejtë Këshillit të Ankesave të AMA-s që të mbyllë në një kohë rekord çdo portal të regjistruar në AKEP deri dhe për një vit, madje, të bllokojë përjetësisht aksesin në çdo ëebsite të regjistruar jashtë vendit, qoftë ky portal dhe NY Times apo CNN.com. Kjo qasje dëmton një nga themelet bazë të lirisë të individit në Shqipëri.” –njoftoi Këshilli Shqiptar i Medias.

Loading...