Në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, Instituti për Mbrojtjen e Vlerave Demokratike (IMVD) i rikujton institucioneve të Republikës së Kosovës, atyre të nivelit qendror si dhe nivelit lokal, se fëmijët e Kosovës, janë të pa mbrojtur si pasojë e mos zbatimit efikas të ligjit dhe mekanizmave të kontrollit, ndonëse të paraparë me Kushtetutën e Kosovës dhe me Konventat për të Drejtat e Fëmijëve të përqafuar nga Republika e Kosovës.

Lexojeni të plotë letrën e IMVD.

Loading...

Instituti për Mbrojtjen e Vlerave Demokratike përmes kësaj letre, ftesë-publike, parashtron vetëm një pjesë të çështjeve që kërkojnë zgjidhje tash e sa vite. Zgjidhjet duhet gjetur nga përgjegjësit dhe vendimmarrësit institucional. Është imediate që zgjidhjet e nevojshme të gjenden në lidhje me këto probleme dhe sfida:

1. Problemi i dhunës në familje po vazhdon të cenoje rëndë mirëqenien e përgjithshme dhe psikologjike të fëmijëve në shumë komuna dhe lokalitete të vendit;

2. Mungesa e kushteve socio-ekonomike po i privon fëmijët nga e drejta e tyre elementare për një jetë të dinjitetshme dhe për zhvillim njerëzor. I mirëkuptojmë propozimet vullnetmira për asistencë modeste, por duhet theksuar që fëmijët meritojnë asistencë dhe përkrahje të gjithmbarshme sociale, financiare, institucionale. Propozimi për 0.33 cent në ditë, 10 euro për muaj për fëmijët është thjeshtë jo serioz;

3. Mungesa e përkrahjes dhe përkujdesjes për nënat në vështirësi, si dhe për nënat që përballen me dhunë në familje, godet edhe fëmijët që përballen me situata të tilla;

4. Jemi dëshmitarë të diskriminimit të fëmijëve në shkollë qoftë ai diskriminim pozitiv si pasojë e nivelit social të jetesës së tyre, apo qoftë ai diskriminim negativ si pasojë e çfarëdo casje të vrazhdë nga mësimdhënësit kundrejt fëmijëve. Një numër i madh i shkollave nuk po angazhohet sa e si duhet në adresimin e këtij problemi, gjë që po dëmton shëndetin mendor të fëmijëve të fëmijëve dhe të ardhmen e tyre;

5. Nuk janë të paktë fëmijët nëpër rrugë e sheshe të Kosovës, nga komunitete të ndryshme, të cilët punojnë, apo kërkojnë lëmoshë në të ftohtë dhe në vapë, kjo situatë po vazhdon njejtë nga viti në vit.

Janë një mori e problemeve të evidentuara nga IMDV, e për të cilat do të ofrojmë sugjerimet dhe rekomandimet tona në vazhdimësi. Prandaj, në ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, IMVD u bën thirrje Institucioneve të Kosovës, të mendojnë për të ardhmen e Kosovës, duke siguruar fëmijët dhe duke mundësuar realizimin e të drejtave të tyre sic parashihet me ligjet në fuqinë Kosovë.

Ne nuk mund t’i gëzohemi kësaj dite ndërkombëtare të të drejtave të fëmijëve, derisa fëmijët e Kosovës ballafaqohen me të gjitha këto parregullsi dhe padrejtësi në fëmijërinë e tyre.

Mos aplikimi i ligjit cenon gjeneratën e ardhshme të Kosovës, siq ka cenuar me vite radhazi që prej pas luftës dhe cenon dhe vetë vlerat demokratike e sociale të shoqërisë kosovare.

Aplikimi i ligjit është e vetmja mënyrë për të rregulluar, përmirësuar dhe sanuar sistemin në dobi të fëmijëve të Kosovës.

Arratia për shpëtim është kuptuar në rrethana lufte por nuk kuptohet dot në rrethana lirie.

Kërkohet vendosmëri, politik-bërje, zbatim, e përkushtim institucional së pari, pastaj edhe social.

Loading...