Tri pikët që erdhën në fund të ndeshjes kundër Napolit, incidentet jashtë stadiumit dhe koret raciste kundër Koulibaly. Interi u gjend nën “shpatën e Demokleut”, me dy ndeshje prapa dyerve të mbyllura në “San Siro”, plus një të tretë pa “Curva Nord”.

Vetë trajneri Luciano Spalletti ka dënuar ashpër sjelljen e tifozëve: “Kjo është koha për të thënë mjaft. Vetëm urrejtja nuk ka vend në futboll. Të vish në stadium është diçka e bukur dhe unifikuese, por nganjëherë kjo mundësi përdoret në mënyrë të gabuar nga disa tifozë. Sjellja e klubit është ajo, që shkruhet në rregulloret e brendshme: Internazionale, sepse jemi vëllezër të kësaj bote, pa dallim ngjyre, ose lëkure”.

Loading...

Rezultati dhe performanca e Interit ndaj skuadrës së Ancelottit kanë shkuar pa u vënë re, pas të gjitha këtyre episodeve të mjerueshme: “Kam parë një lojë me ritëm shumë të lartë, si nga vetja, edhe nga Napoli. Incidentet nuk e errësojnë fitoren tonë, sepse ajo u arrit në fushën e blertë. Gjërat nuk ndryshojnë me një gjest, por me angazhimin e vazhdueshëm e të përditshëm, në mënyrë që gjithçka të kthehet në normalitet”.

Spalletti flet edhe për idenë se, koret raciste ndaj Koulibaly mund të kishin çuar në pezullimin e përkohshëm të ndeshjes: “Ka pasur shumë episode të tilla kohët e fundit, jo vetëm në lidhje me Koulibaly. Ne jemi në anën e tij dhe të atyre, që gjenden të shënjestruar për ngjyrën, gjatë lojrave, për shkak se nuk është kurrsesi e lejueshme për të ofenduar dikë për 90 minuta. Ju duhet të keni një sjellje të vazhdueshme të mirë , duke qenë personazhe të vërtetë të sportit. Kjo është e rëndësishme”.

Nainggolan do të kthehet në skuadër, pas pezullimit për arsye disiplinore: “Unë duhet ta vlerësoj rastin e tij, por me siguri do të jetë në Empoli. Ai është pjesë e të gjitha vlerësimeve tona, siç ndodh me lojtarët e tjerë”.

Loading...