Bayern-i e nisi “epokën” Kovac me 4 fitore rresht në Bundesligë, para e të ndalej, duke regjistruar 3 ndeshje rresht pa fitore dhe duke lejuar Dortmundin ta parakalonte. Kampionët në fuqi të Gjermanisë u kthen te fitorja javën e shkuar në Wolfsburg, por tashmë janë 4 pikë pas Dortmundit dhe të shtunën në Mainz nuk duhet të gabojnë më.

Loading...

“Nga ç’po shoh, Dortmundi në këtë moment është në formë të shkëlqyer”, tha Kovac në konferencën për shtyp të së premtes. “Ata po fitojnë, por gjithashtu po luajnë shumë mirë dhe shënojnë shumë thjesht. Ne duhet të rikthehemi sa më shpejt në nivelin tonë, ndërsa në dimër do shohim për ndonjë përforcim, por për momentin duhet të punojmë me ekipin që kemi”.

Në Wolfsburg u kthye në formacion Javi Martinez, i cili shënoi në Athinë, dhe Kovac ka ndërmend ta konfirmojë: “Ai më ka treguar në javët e fundit se është në formë perfekte. Edhe cilësitë e tij futbollistike, ndihmon shumë që ai flet të njëjtën gjuhë me James e Thiago. Javi po paraqitet shumë mirë, do luajë shumë ndeshje këtë sezon, nëse vazhdon kështu”.

Kovac ka fjalë të mira edhe për James Rodriguez e Thiago, me të parin që shënoi në Wolfsburg dhe spanjollin që ka qenë titullar në 11 nga 13 ndeshjet e këtij sezoni.

“James ka luajtur dy ndeshje shumë të mira, por ishte pak i sëmurë në mesjavë, ndaj do duhet ta kontrollojmë para se të vendosim kur do të kthehet. Thiago është një futbollist i madh. Ai gjithnjë krijon raste për shokët dhe punon shumë”.

Ndërkaq, në mungesë të James, do të përfitojë Thomas Müller, edhe pse Kovac nuk e konfirmon praninë e tij në Mainz: “Müller ka gjithçka që i duhet. Ne vendosëm pas pushimit për kombëtare që skuadra të pushonte pak dhe lojtarët janë të kënaqur. Kjo nuk do të thotë që Müller nuk do luajë shumë ndeshje në vazhdim”.


 
Loading...