Analistja dhe pjesëtarja e shoqërisë civile Besa Luzha, për agjensinë e pavarur MekuliPress, nënvizon se vetëm Lëvizja Vetëvendosje, po i përmbahet në mënyrë konsistente identitetit unik në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 11 qershorit.
Duke analizuar mënyren se si janë paraqitur subjektet politike përgjatë këtyre zgjedhjeve, Luzha ka thënë për MekuliPress se, liderët dhe përfaqësuesit e partive kanë shumë pak kohë që tu shpalosin qytetarëve ofertën e tyre.
“Kjo garë është mjaft interesante për disa arsye sepse fillimisht janë bashkuar ish kundërshtarët politikë në të dy anët, përpos LVV që në mënyrë konsistente po i përmbahet identitetit unik. E dyta, zgjedhjet erdhën si pasojë e mos-mundësisë për të shkuar tutje me disa vendime të vështira për disa nga proceset që po e mbajnë të bllokuar Kosovën në rrugëtimin e saj përpara dhe e treta koha e fushatës është shumë e shkurtër dhe ndoshta e pamjaftueshme që të elaborohen të gjitha masat që garuesit dëshirojnë ti ndërmarrin për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Duke qenë kështu, liderët dhe përfaqësuesit e partive kanë shumë pak kohë që tu shpalosin qytetarëve ofertën e tyre”, është shprehur ajo për MekuliPress.
Prandaj, Luzha ka theksuar se liderët e subjekteve politike duhet të jenë më të përmbledhur, më konkretë dhe sa herë që paraqiten para qytetarëve kudo që paraqiten duhet të thonë gjërat e njëjta, veprime konkrete dhe atë sa më reale, e të mundshme që tu mundësojnë qytetarëve vërtet të vlerësojnë ofertat e tyre.
“Propozimet duhet të jenë konkrete dhe bindëse për çdo temë. Nuk mjafton vetëm të renditen masat dhe veprimet pa treguar në mënyrë bindëse dhe me argumente se si do ta bëjnë këtë. Kjo vështirësohet paksa meqë janë bërë koalicionet, por kjo edhe i shtyn përfaqësuesit e subjekteve që megjithatë të formojnë një program të përbashkët dhe të gjithë pjesëtarët e një grupimi/koalicioni të flasin me një zë për veprimet që do të ndërmarrin në fusha të ndryshme. Kjo mundëson që votuesi vërtet të vlerësojë ofertën dhe jo vetëm individët e ndryshëm që flasin në emër të subjektit”, ka përfunduar zonja Besa Luzha.
/MekuliPress/
Loading...