Nga ca analistë të anshëm po interpretohet se Ilir Meta nuk po e dekreton propozimin e Edi Ramës për ministër të jashtëm, G. Cakën, sepse kinse Ilir Meta nuk i do kosovarët ndërsa Edi Rama i dashka. Se Ilir Meta qenka i korruptuar, ndërsa Edi Rama jo.
Ky është absurditet. Ata që e thonë si duket nuk e dinë se Ilir Meta e ka dekretuar emërimin tjetër për ministër nga Kosova, pa u zgjatur shumë në kompetencat e saj për ministre arsimi.
Harrohet se ky është prodhim i Batonit, dhe Batoni nuk është as i Kosovës as i Shqipërisë. Siç e ka shpjeguar vetë, në një shkrim të gjatë, botuar me dy pjesë në gazetën Zëri në vitin 2002, Baton Haxhiu ka qenë kontakti, fikseri, pika e referencës apo sekseri i Jovica Stanishiçit, shefit të inteligjencës serbe kur ky i fundit dëshironte “të zgjidhte problemin kosovar”. Jovica Stanishiçi nuk ka qenë shef inteligjence në kohë paqeje, pra zyrtar i varur nga ministra e parlament, por në kohë të luftërave shfarosëse të Serbisë me Kroaci, Bosnje e Kosovë. Të punosh për një njeri të tillë e një shërbim të tillë do të thotë se kurrë nuk mund të dalësh në pension. Po po, “e merr rrogën” gjithë jetën.
Dikush mund të pyesë, përse këtë shkrim vetërrëfyes Batoni e shkroi pak ditë para se të thirrej në Hagë, si dëshmitar në procesin e Millosheviçit? E shkroi pikërisht për t’i paraprirë dekonspirimit që e priste, dhe në fakt, Millosheviçi e pyeti dëshmitarin Baton për takimet e tij me strukturat e larta të inteligjencës serbe.
Prandaj, njerëzit e promovuar nga Batoni, si dhe figurat politike që ndjekin vijën e tij, nuk janë as të Shqipërisë e as të Kosovës. S’ka rëndësi ku kanë lindur, çfarë moshe kanë, e çfarë shkolle kryejnë, rëndësi ka linja politike që ata ndjekin.
Cila është linja politike e Cakës? Shikojeni një emision te Baton Haxhiu, transmetuar një natë para se të emërohej ministër nga Rama. Mes shumë logorreve, Caka thotë se çështja e kufirit Kosovë-Serbi është e ngjashme me atë të kufirit Shqipëri-Greqi. Dmth. ministri i ardhshëm nuk e di se Greqia e njeh Shqipërinë, ndryshe nga Serbia që nuk e njeh Kosovën. Ky barazim ka kosto, nëse është qëndrim i ministrit të jashtëm të Shqipërisë. Përveç kësaj, ministri në tentativë thotë se investimi i kapitalit rus në një vend, nuk do të thotë që e largon atë vend nga perspektiva euroatlantike (kjo është linja e zakonshme serbe, madje edhe ruse).
Jo, nuk është punë e korrupsionit të Metës mosdekretimi i Cakës. Se edhe Rama që e emëroi nuk është më pak i akuzuar për korrupsion.
Mosdekretimi i Cakës është përpjekje për të mos e lejuar uzurpimin e diplomacisë shqiptare nga Serbia.

Loading...