Tani që kriza politike mori një zgjidhje po qartësohet edhe valenca e çadrës parë në dy këndvështrime. Çfarë përfaqësoi si protestë dhe kujt i shërbeu si akt i reagimit civil, nëse mund të quhet kështu?
Konstatimi i parë është se protesta nuk ishte masive dhe për nga fryma nuk mund të hiqen paralele me protestat antiqeveritare në Rumani. Çadra u mbajt në këmbë nga angazhimi i militantëve partiakë, ndërsa publiku, ndoshta për mungesë besimi e vëzhgoi në distancë nga televizori dhe mediat sociale.

Loading...

Por le të mos nisemi nga kjo premisë pasi jo gjithmonë numrat i japin të drejtë kauzës dhe ky ishte rasti që të fitonte kauza dhe jo numrat. Pavarësisht pjesëmarrjes çadra iu imponua opinionit dhe axhendës politike të vendit  me problemet që ngriti, inkriminimin e shtetit, mungesën e kontrollit mbi territorin, politizimin e administratës, arrogancën e qeverisë, mungesën e standardeve për zgjedhje etj. Probleme të cilat përtej konjukturës së momentit e ekspozuan rëndë qeverinë në raport me publikun dhe partnerët ndërkombëtarë.

Sipërfaqet e mbjella me kanabis, magazinat e përpunimit të hashashit, tonelatat e drogës të kaluara pa u skanuar në dogana dhe implikimi i strukturave të qeverisë në trafikun e drogës ishin fakte që vunë seriozisht në dyshim legjitimitetin e qeverisë.
Dhe në këtë pikë çadra funksionoi si mjet denoncimi pasi e detyroi qeverinë të pranonte problemin e madh të drogës dhe të largonte ministrin e Brendshëm, ndonëse ky i fundit kishte mbështetjen e fortë të kryeministrit, duke qenë një nga bashkëpunëtorët dhe të besuarit e tij të afërt.
Karakteri denoncues i çadrës mori  mbështetje nga gazetarë apo personazhe publikë që iu bashkuan protestës jo më shumë për kauzën por për të shtuar amperët e goditjes kundër qeverisë dhe vë veçanti kundër kryeministrit. Pra analistë, opinionistë, artistë që u panë në çadër ishin më shumë kundër Edi Ramës sesa me kauzën e zgjedhjeve të lira apo shpalljes së një Republike të Re.

Për çadrën pati  mbështetje në distance edhe nga njerëz të angazhuar publikisht, optimistë se Edi Rama kishte përballë një kundërshtar radikal si Lulzim Basha që pati kurajon të refuzonte edhe ndërkombëtarët. Rrëzimi i paketës Mc Allister forcoi bindjen se Basha ishte i vendosur për drejtësinë e kauzës dhe herët a vonë qëndresa mund të fitonte dinamikën e një orteku që do të përligjte edhe numrat.
Nisur nga deklaratat e Lulzim Bashës se vendimi për ngritjen e çadrës e morën qytetarët dhe se tërheqja ose jo do t’u takonte sërish atyre marrëveshja e 18 Prillit zhgënjeu me të drejtë ata që besuan tek zoti Basha, por çuditërisht zhgënjeu edhe ata që nuk ishin me çadrën, por ishin kundër Edi Ramës nga ekranet apo nga fejsbuku.

Të parët u bënë sërish viktima të demagogjisë dhe përdorimit nga politika, ndërsa të dytët ndërtuan kritikën e radhës mbi intrigat e pazarit Rama-Basha. Por pse veproi në këtë mënyrë, Lulzim Basha? Pse shtrëngoi kaq kollaj duart me kryeministrin pa pyetur askënd? Ka vetëm një përgjigje, sepse mes tij dhe protestuesve apo atyre që mbështetën çadrën nuk pati asnjë marrëveshje.

Sepse nëse ata që ishin pro çadrës, afër dhe në distancë, do të zmadhonin dhe kushtëzonin drejtësinë e kauzës me një dokument të shkruar kërkesash dhe parimesh, Lulzim Basha nuk do ta kishte fuqinë të negocionte marrëveshje me Edi Ramën mbi një dialektikë të ngritur nga vetë ai.
Edhe partitë e vogla politike që iu bashkuan çadrës firmosën jo për kauzën, por siç u vërtetua më pas për një vend deputeti në listën e PD-së. Për arsye që ndoshta nuk kërkojnë ndonjë studim të thelluar qytetarët nuk hynë në marrëveshje me Lulzim Bashën për Republikën e Re, por e lanë të vepronte i vetëm duke pritur si spektatorë fundin e drames, që siç rezultoi ishte një komedi me dy akte ne Bulevard, vetëm  për llogaritë personale të Lulzim Bashës.


 
Loading...