Njeh kush ndonjë Të fortë që i përmbahet Besës? T’i përmbahet atij kodi mesjetar që vendos kufij të rreptë dhe disiplinë apo norma që mandej të mund të garantonin suksesi në një botë shumë komplekse dhe dinamike si ajo e krimit dhe trafikut të drogës?
Nëse jo, kërkoni në Angli. Në mediat e këtij vendi që po udhëheqin një fushatë keqinformimi, paragjykuese dhe antishqiptare.

Loading...

Një raport i fundit i agjencisë kombëtare kundër krimit në Britaninë e Madhe evidenton të dhëna të shumta për trafikim e drogës, por disa media britanike, mes të cilave edhe tabloidi i shumëlexuar “The Sun”, ka dashur ta shesë raportin si një çështje shqiptarësh me shtetin britanik.

Shifrat tradhëtojnë këto përpjekje që janë axhendë dhe jo raportim: kanabisi shqiptar sipas mediave shkon në 4 miliardë stërlina në vit, por ai lidhet ngushtësisht me situatën e kultivimit në vendin e origjinës. Në vend të kësaj, vëmendja përqendrohet te trafiku i kokainës, që sipas mediave angleze kontrollohet nga shqiptarët që duket se janë nga Veriu nëse i besojmë përshkrimeve për Besën, zgjedhjen e një Kryetari që i thonë Krye e të tjera klishe të këtilla që janë shprehur po kaq trashë edhe në filmin “Taken”.

Myslimanët shqiptarë iu përmbajtën Besës kur shpëtuan hebrejtë nga nazistët në Luftën e Dytë Botërore

Ja në tjetër gëlbazë e “The Sun” që është bërë moto edhe nga media të tjera vërdallë saj.

Xhevahiri tjetër: Edhe pse britanikët përbëjnë 70% të krimit të organizuar, është rritja e krimit shqiptar që ka shqetësuar autoritetet. Një rracizëm që shet veten për gërmues të së vërtetës, pasi krijon përshtypjen se nëse në krye të trafikut do të ishin britanikët, autoritetet do të ishin të qeta.

Ku ndryshon ky model propagandistik i britanikëve nga ai europian? Ndryshon në faktin se ai flet për një krim të organizuar shqiptar që vepron pa lidhje të forta në dukje me vendin e origjinës siç është p.sh në rastin e trafikut të marijuanës. Të thuash se 2% e personave që angazhohen në krim të organizuar marin kontrollin e trafikut të kokainës dhe këta të shpallen si problem kombëtar, kjo është sikur të thuash se në Shqipëri çështja kryesore e rendit publik dhe sigurisë është Lazarati. Një shtet si Britania që merr pjesë në operacione ndërkombëtare dhe pretendon të vendosë siguri në botë, ia ul vetes profilin kur ankohet periodikisht për gansterë shqiptarë që i portretizon sipas dëshirës. Nuk do të ishte keq të merrte borxh për ca ditë Sajmir Tahirin që pati meritën apo fatin që të gjunjëzonte të pamposhturin Lazarat…

Ndryshon edhe në faktin se nëse Europa i kërkon qeverisë shqiptare përgjegjësinë pse lejon lulëzimin e trafikut duke mbrojtur njerëz të krimit dhe pse është e korruptuar, analiza britanike apo e mediave të ishullit na rrëfen një antropologji të krimit shqiptar. Narrativa  e saj është kryekëkut tendencioze, rraciste dhe keqdashëse dhe ndaj saj përfaqësia diplomatike në Londër duhet të angazhohet. Këtë precedent e kemi parë edhe në Itali dhe në Greqi deri pak vite më parë.

Ka edhe diçka tjetër që lidhet me sjelljen e mediave shqip. Apo disa prej tyre.
Raportin në fjalë e kanë shpërndarë sot të gjitha mediat shqiptare. Thuajse të gjitha, pa asnjë qasje filturse, duke na dëshmuar edhe njëherë se ka një farë krenarie në këtë sukses të trumbetuar të krimit të shqiptarëve jashtë. Një krenari hajvane apo mungesë profesionalizmi që buron nga një lloj solidariteti  dhe mirëkuptimi prej shqiptarësh “që ja dinë hallet njëri-tjetrit”. Kjo e ka dhënë efektin e vet. Zëri i Wikipedias për të ashtuquajturën Mafia Shqiptare dominohet nga përkufizime të tipit “mafie shumë e suksesshme”, “kapacitete për të ecur në rrugën e krimit”, që vijnë me keqdashje dhe duke keqiformuar në anglisht mbarë opinionin me idenë e një populli të dhunshëm. Nëse sheh referencat ato janë tituj të mediave shqiptare, shkrimet e të cilave janë si ky i sotmi, përkthime me tituj bombastikë nga media të huaja si tabloidi The Sun. Një punë e bërë keq që ka pasoja.

Bëhet fjalë për 600 shqiptarë nga 33 000 që është kontigjenti i identifikuar si njerëz të krimit në Britani, e për të cilët media e këtij vendi flet me tolerancë të tipit: Pakistanezët janë të dytët në heroinë pa shkuar më tej për shifrat e vërteta. Janë pra 600 shqiptarë nga 14 mijë të tillë që jetojnë në Britani sipas shifrave zyrtare të vitit 2011 apo 70 000 sipas të dhënave të tjera të cilët po bëhen emblemë nga një media e një vendi të tërë. Lidhur me këtë, edhe rrjeti BBC pyeste dy ditë më parë kryeministrin Rama i cili detyroi gazetarin të pranonte se “shifrat janë të ulëta, por impakti është i madh”.

Një epidemi që ka prirjen të shndërrojë në bindje të pavërtetat që paketohen për publikun me pamjen vulgare të dikujt që rri duke parë tufën e kartëmonedhave me poshtëshënimin: Ja shqiptari. Sigurisht të bindur se mediat shqip dhe letargjia e diplomacisë sonë do të japin një dorë që Wikipedia ta pasurojë edhe më tej përmbajtjen për popullin kriminel.


 
Loading...