Turqia dhe Izraeli kanë dëbuar ambasadorët e njëri-tjetrit, pas vrasjes së më shumë se 60 palestinezëve nga forcat izraelite në Gaza, si pasojë e eskalimit të tensioneve rreth transferimit të ambasadës amerikane në Jerusalem.

Loading...

Ministri i jashtëm turk i ka kërkuar të dërguarit izraelit Eitan Naeh, që ta lëshojë vendin “për një kohë të pacaktuar”.

Përgjigje e menjëhershme ndaj kësaj erdhi nga ministri i jashtëm izraelit, i cili urdhëroi konsullin turk që të kthehet nga Jerusalemi në shtëpi “për konsultime”.

Ministria e shëndetësisë në Gaza ka bërë të ditur se shumica e palestinezëve të vrarë janë qëlluar nga armët e izraelitëve. Ndër viktimat është edhe një foshnjë 8 muajsh që vdiq së bashku me tetë fëmijë të tjerë nën moshën 16 vjeçare, për shkak të thithjes së gazit lotsjellës.

Përleshja e përgjakur erdhi pas ceremonisë së hapjes së ambasadës amerikane në Jerusalem, gjë që shkaktoi protesta të mëdha në vendet myslimane.

Turqia ka shpallur tri ditë zie në gjithë vendin, përderisa presidenti Recep Erdogan akuzoi kryeministrin e Izraelit se po udhëheq një shtet ku po ushtrohet aparteid.


 
Loading...