Para dy javësh, Kosova ngriti taksën doganore për mallrat serbe dhe ato të Bosnjës për 10 për qind.

Loading...

Rasim Lajiq, ministër i Tregtisë në Serbi, ka thënë se gjatë pak ditëve të para të ngritjes së masës, tregtia serbe ka rënë për rreth 40 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë një muaj më parë.

“Kosova i imponoi masat më 6 nëntor dhe nga atëherë e 8 ditë më pas, deri më 14 nëntor, për në Kosovë është nisur mall në vlerë prej 6,4 milionë euro, ndërsa në të njëjtën periudhë gjatë muajit tetor, vlera e mallrave të Serbisë të shitura në Kosovë ka qenë 10 milionë euro”, ka thënë Lajiqi për “Danas”.

Ministri serb ka thënë se, në konsultim me homologun e tij boshnjak, Mirko Sharoviq, kanë vendosur që të mos marrin pjesë në konferencën ministrore të muajit dhjetor të CEFTA-s nëse deri atëherë Kosova nuk tërhiqet nga vendimi.

Lajiqi ka sqaruar se për kundërmasa nuk ka hapësirë manovruese sepse, siç thotë ai, nga Kosova në Serbi pothuajse nuk hyn asnjë produkt, dhe se tani pritet veprimi, mbi të gjitha, i administratës amerikane.

“Iu kemi drejtuar të gjithëve, por ende nuk ka hapa konkretë”, shtoi ministri serb i Tregtisë.

Ai theksoi se tregtarët serbë po presin çfarë do të ndodhë, ndërsa shtoi se në Kosovë më së shumti shitet rryma, benzina, sheqeri dhe vaji i lulediellit.

Loading...