Stanislaw Jerzy Lec ishte poet, përkthyes i shumë veprave të famshme dhe autor aforizmash i njohur në Poloni e më gjerë.
Në vijim, ne kemi përzgjedhur pikërisht disa nga aforizmat e tij që kanë jehojë ndërkombëtare dhe pas tyre, mund të lexoni një përmbledhje për jetën dhe veprat e Stanislaw Jerzy Lec…

Loading...

22 aforizma nga Stanislaw Jerszy Lec:

1. Asnjë Zot nuk i ka “mbijetuar” humbjes se besimtarëve të vet.

2. Një jetë të dytë, disa do të duhej ta jetonin si shpërblim dhe disa si ndëshkim.

3. Në majën e çdo kulmi, je në pragun e një humnere.

4. Lopës edhe po t’i japësh të pijë kakao, nuk do të nxjerrë çokollatë.

5. Të gjithë thonë se duan të mirën tuaj. Prandaj, ruajeni fort!

6. Për të qenë vetvetja duhet qenë dikushi.

7. Thashethemet, kur vjetërohen, bëhen mitologji.

8. Satira nuk shqyrton gjërat që janë qesharake në vetvete.

9. Qeni besnik e ka gojëzen e zbukuruar.

10. Lulet mbi varrin e armikut kanë gjithmonë një aromë marramendëse.

11. Ndonjëherë, më duket se sistemi hyjnor i ngjason monarkisë angleze: Zoti mbretëron, por nuk qeveris.

12. Sa keq që për të mbërritur në parajsë duhet të hypim në makinën funebre.

13. Sa shumë gjëra do të kisha mësuar, po të mos m’i kishin shpjeguar.

14. Një kryevepër nuk e lëpin dorën e krijuesit të vet.

15. Injoranca njerëzore arrin kufij gjithmonë e më të largët.

16. Hezitimi është në vetvete një vendim.

17. Një person që është një gjeni dhe nuk e di që është, më shumë gjasa nuk është.

18. Mos prisni kushedi se çfarë nga fundi i botës.

19. Njeriu kërkon të vërtetën, që të mund ta fshehë më mirë.

20. Që kur është ngritur mbi gjymtyrët e pasme, njeriu nuk di më të gjejë ekuilibrin.

21. Djalli, në ferr, është një hero.

22. Edhe shpirti nganjëherë duhet të mbajë dietë.

Stanisław Jerzy Lec u lind më 1909 në Lwow dhe vdiq më 1966 në Varshavë.
Kreu Fakultetin Juridik në Universitetin e Jan Kazhimjezhit në Lvov.

Debutoi më 1929 në shtypin e asaj kohe si poet satirik.

Ndërkaq, Leci njihet edhe si përkthyes i njohur i letërsisë gjermane, mes të cilave përktheu veprat e Brehtit, Hajnes, Kurt Tuholskit etj.

Botoi shumë libra, mes të cilave: “Ngjyrat”, “Libër i shënimeve të luftes”, “Dorëshkrimi i Jerusalemit”, “Abelit dhe Kainit”, “Fletëarrestimi”, “Kopshti zoologjik”, “Satira patetike”,”Jeta është epigram “etj.

Famën botërore e arriti në vitet ’50, me aforizmat e botuara në shtypin periodik të kohës.

Libri i tij aforistik, me aforizma dhe epigrame “Mendime të pakrehura” (1957) i siguruan autorit një vend nderi në aforistikën botërore.

Aforizmat e Lecit i përkasin letërsisë me një tematikë më aktuale dhe universale.

Pikërisht në këtë qëndron sekreti i suksesit të madh botëror të aforizmave të tij.

Leci komenton dhe interpreton, ironizon, gërmon në vetëdijen dhe ndërgjegjen e njeriut, herë fshikullon dhe qorton, herë ankohet për shkak të gjendjes shpirtërore intelektuale, në të cilën gjendet bota bashkëkohëse dhe mendimi bashkëkohës.

Ata, të cilët kërkojnë fillimet e krijimtarisë së Lecit, nuk mund të mos e përkujtojnë njërin nga mësuesit e sigurt të Lecit, Karl Krausin, redaktorin e revistës me zulm “Fackel”, njërin nga kokat më të mençura të qarqeve letrare të Vjenës.

Me të vërtetë, kur krahasohen aforizmat e Lecit dhe ato të Karl Krausit, që i krijoi Stanisllav Jezhi Leci, mund të pranohet që, mendimtari vjenez i dha Lecit impulset fillestare.


 
Loading...