Shteti i Kosovës, gjatë ditës së djeshme dështoi që të bëhet pjesë e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë – Interpol. Kosova dështoi që t’i marrë shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që u mbajt në Dubai.

Por cilat ishin arsyet e dështimit të Kosovës dhe kush duhet të japë përgjegjësi për këtë?

Loading...

Lidhur me këtë ka folur me avokati i njohur, Tomë Gashi.

Avokati Gashi thotë se shteti i Kosovës nuk do të pranohet në asnjë institucion ndërkombëtar, përderisa ka udhëheqës shtetërorë që e kontestojnë shtetin e vet.

“Kosova ka dështuar që të anëtarësohet në Interpol për shumë arsye. Dhe kjo është ditur qysh moti se Kosova nuk mund të pranohej në Interpol , kur Kosova nuk është aspak shtet serioz e as normal. Kosova nuk do të pranohet në asnjë institucion serioz ndërkombëtar deri sa kemi udhëheqës shtetëror që me dashje apo pa dashje, me vetëdije apo pa vetëdije e kontestojnë vetë shtetësinë e shtetit të vet të cilin e udhëheqin duke kontestuar territorin në të cilin është shpallur pavarësia më 17 shkurt 2008”, deklaron Gashi.

Ai më tej, thekson se liderët e Kosovës po e kontestojnë pavarësinë e shteti, pavarësi kjo e njohur nga më shumë se 116 shtete.

“E i cili territor dhe jo popullatë është pranuar si shtet i pavarur nga mëse 116 shtete me ndihmën e pakursyer te SHBA , të Gjermanisë, Britanisë së madhe dhe të shteteve të tjera mike të cilat me forcën dhe kredibilitetin e vet ndikuan direkt që Kosova të pranohet si shtet. Sepse pa SHBA dhe shteteve tjera që ndihmuan dhe e çliruan Kosovën nga Serbia askush nuk do të na pranonte si shtet siç nuk na ka pranuar as vet shteti amë Shqipëria me rastin e shpalljes se Kosovës republikë  më 1992”, shprehet ai.

“Dhe duke e kontestuar vet udhëheqësit tanë territorin e shtetit të Kosovës, njeri duke i falur mbi 8200 hektarë, e tjetri haptas  duke deklaruar se nuk na duhen 3 komuna veriore të Kosovës e që janë mbi 25 % të territorit të Kosovës  askush nuk e merr për serioz këtë shtet të udhëhequr nga këta persona”.

Sipas Gashit, kjo është edhe arsyeja kryesore që Kosova nuk është pranuar në Interpol dhe as që do të pranohet me këta udhëheqës në ndonjë organizatë serioze ndërkombëtare.

“Sepse kur e konteston vet territorin e shtetit që e udhëheq e ke kontestuar shtetësinë e Kosovës. Kjo aspak nuk ka të bëjë me profesionalizimin e policisë së Kosovës e cila normalisht që i përmbushë më shumë se shumica e shteteve që janë në Interpol kushtet për të qenë pjesë e saj. Por dihet se policinë e udhëheq politika dhe për ketë mund të kemi polici të pavarur nga institucionet shtetërore sepse secila polici e secilit shtet në botë është direkt e udhëhequr nga institucionet e atij shteti”.

Më tej, ai shton se të presësh nga Serbia diçka tjetër pas gjenocidit të saj ndaj shqiptarëve është më shume se idiotizëm politik.

“I çuditshëm është edhe fakti se udhëheqësit politikë e fajësojnë Serbinë që nuk  jemi pranuar as në Interpol as në UNESKO e askund tjetër. Po si është e mundur të pritet nga Serbia që ajo të lobojë apo të lejojë e leje ma të kërkojë që ne si shtet të bëhemi pjesë e organizatave ndërkombëtare kur ajo ende na konsideron me kushtetutë si territor të saj, si territor i Serbisë”, nënvizon ai.

Në fund, Gashi Kosova do të mbetët shtet jo serioz me këtë udhëheqësi, përderisa në pushtet nuk vije një forcë tjetër politike që nuk kërkon mëshirë nga Serbia.

“Dhe të gjithë e dinë se Serbisë ia mori NATO me SHBA në krye Kosovën nga kthetrat gjenocidiale të sa,  se sa për ne dhe sa për disa udhëheqës të Kosovës, ne ende do të ishim pjesë integrale e Serbisë”. Dhe para se të heqim dorë nga territori i Kosovës duhet ta dijë udhëheqësit se po heqin dorë nga lufta e Kosovës për çlirim ku mbetën të vrarë mbi 15 civilë dhe ku u morën mbi 6000 qytetarë të Kosovës që u vranë në Serbi e që u bë Kosova shkrumb e hi për tu çliruar nga Serbia të cilës i kërkohet mëshirë për çdo gjë. Ne nuk jemi shtet serioz dhe kështu do të mbetemi deri sa të mos vije në pushtet  forca politike që e dojnë vendin e vet dhe që nuk kërkojnë mëshirë nga Serbia”, ka përfunduar avokati i njohur, Tomë Gashi.

Loading...